Hetimet çojnë te Ristici

Kryetari paralel i Zubin-Potokut, Slavisha Ristic, ka mundësi që të përballet me drejtësinë, me dyshimin se ka gisht në vrasjen e Enver Zymerit. Beogradi në heshtje mbështet aksionet e fundit në veri...
Hetuesit ndërkombëtarë tashmë kanë ardhur në përfundim se strukturat paralele serbe që financohen nga Qeveria e Serbisë janë të përfshira me strukturat e krimit të organizuar në veri të Kosovës, shkruan “Zëri”.
Një nga ta është kryetari i komunës paralele të Zubin- Potokut, Slavisha Risti, i cili sipas burimeve ndërkombëtare që merren me çështjen e sigurisë, po del se është i përfshirë në vrasjen e policit kosovar, Enver Zymeri.
“Janë disa shenja të hetimeve që çojnë te kryetari paralel i Zubin- Potokut”, thotë për “Zëri-n” një nga zyrtarët që është i përfshirë në hetimet e nisura të EULEX-it pas vrasjes së Zymerit më 26 korrik, derisa njësitë ROSU dhe FIT ishin rrugës drejt pikës kufitare, Porta 31.
Prita që u është bërë këtyre njësive të Policisë së Kosovës ka ndodhur pikërisht në fshatin Vragë, që është pjesë e komunës së Zubin-Potokut, e udhëhequr nga Ristic dhe siç duket edhe grupeve që atë ditë kanë qenë në pritje të njësisë speciale të Policisë kosovare.
“Shumica e atyre që ne po i kërkojmë janë në arrati, ndryshe nga Ristic, i cili hëpërhë është duke e vazhduar aktivitetin e tij në Zubin-Potok, por kjo shumë shpejt mund të ndryshojë pasi ka të dhëna që po detyrojnë hetuesit ta përfshijnë atë në dosjen e vrasjes së Enver Zymerit”, thotë i njëjti burim...