E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hondurasi lobon për njohjen e Kosovës

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 12:25

(E plotësuar) Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa ka deklaruar të shtunën në Prishtinë se vendi i tij do ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj si shtet i lirë, sovran dhe demokratik, dhe ka premtuar se do të angazhohet në mënyrë që edhe vendet tjera të Amerikës Qendrore ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.

Ai këto komente i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me ç’rast rikonfirmoi se Hondurasi njeh Kosovën si shtet të pavarur, pasi që kjo është e drejtë themelore e të drejtave të njeriut.

“Ne si një shtet i Amerikës Qendrore do të kontribuojmë që në të ardhmen shtetet e tjera të njohin pavarësinë dhe unë do të kontribuoj që vendet e tjera të Amerikës Qendrore ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Sosa.

Ai duke ftuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të vizitojnë Hondurasin, ka thënë se vendi i tij do të jetë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj si shtet sovran dhe demokratik.

“Hondurasi do të jetë në anën e juaj për të ecur përpara dhe vendi juaj të jetë ashtu siç duhet të jetë, një shtet i lirë, sovran dhe demokratik”, ka thënë ai.

Ndërsa, presidentja Jahjaga shprehu falënderimet e saj për presidentin e Hondurasit për lobimin dhe njohjen e Kosovës duke e njoftuar për synimet e vendit tonë që të jetë një vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-së.

Jahjaga po ashtu tha se kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Unë po ashtu e njoftova presidentin e Republikës së Hondurasit se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe çështjet e aranzhimeve të brendshme janë çështje të panegociuara, kurse procesi i dialogut që është duke vazhduar është një proces që do të mundëson lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, do të mundësojë reaksionin e marrëdhënieve të të dyja vendeve tona dhe po ashtu do të mundësojë që të gjejë zgjidhje për çështje praktike”, ka thënë Jahjaga.

Përveç, kësaj, sipas presidentes Jahjaga në këtë takim kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shtet-ndërtimit dhe në avancimin e proceseve demokratike.

Presidenti Sosa arriti sot paradite në Prishtinë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është pritur nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas të cilit nuk ka pasur prononcime për media.

Gjatë ditës, kreu i shtetit të Hondurasit do të zhvillojë takime edhe me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, ndërsa Universiteti AAB-Riinvest do t’i ndajë titullin “Doktor Honoris Causa”.

Kjo është hera e parë që një president i Amerikës Qendrore viziton një shtet të Ballkanit Perëndimor. Hondurasi ka njohur pavarësinë e Kosovës vitin e kaluar.

Presidenti honduras po qëndron në Prishtinë

Presidenti i Republikës së Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, dhe disa përfaqësues të institucioneve hondurase kanë arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Delegacioni honduras është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga disa përfaqësues të qeverisë së Kosovës në krye të të cilëve ishte zëvendëskryeministri i parë i vendit, Behgjet Pacolli.

Sosa u takua dhe me homologen e tij kosovare, presidenten, Atifete Jahjaga, ndërsa pas takimit me të ka mbajtur një konferencë për media.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, presidenti i Hondurasit pritet të nderohet gjithashtu me çmimin “Doctor Honoris Causa”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›