E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet e EULEX perplasje mes Thacit dhe Krasniqit

Kërkesa e EULEX-it për heqje të imunitetit ndaj disa deputetëve të Kosovës, shënon përplasjen e radhës mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Pak ditë më parë Misioni i Evropian për Policinë dhe Sundim të Ligjit kërkoi nga Kuvendi që të vendosë për heqjen e imunitetit të deputetëve që janë nën hetim. Por kryeparlamentari Krasniqi sqaroi përmes një komunikate se ky vendim nuk i takon atij, por Qeverisë së Kosovës. Por kryeministri Thaçi e përjashtoi qeverinë nga kjo çështje.

“Qeveria e rikonfirmon nuk interferohet ne punën e Kuvendit të Kosovës. Është në autoritetin e Kuvendit të Kosovës të merr vendime përkatëse për çështjet e caktuara. Qeveria është ekzekutive dhe pushtete janë të ndara, prandaj mos kërkoni nga unë sot që të komentoj deklaratat e askujt”-tha kryeministri Thaçi.
 
Përplasjet me deklarata në distancë arritën pikun kur kryeparlamentari Krasniqi tha se qeveria nuk ka informuar fare deputetët për marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës. Lidhur me ratifikimin e këtyre dokumentave në Kuvend, kryeministri Thaçi tha se këto marrëveshje janë vetëm konkludime të dala gjatë dialogut.
 
“Në Bruksel janë nxjerr konkluzionet e përbashkëta në mes Kosovës dhe Serbisë me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është arritur ndonjë marrëveshje apo ndonjë kompromis”-theksoi ai.

Ndaj refuzimit të Krasniqit për heqjen e imunitetit të deputetëve të hetuar, reagoi një ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili tha se “Jakup Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij”. Lidhur me këtë, kryeminsitri Thaçi u shpreh se raportet mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë shkëlqyera dhe se këto raporte duhen ruajtur si “sytë e ballit”.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›