E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Maqedonise mbyllen negociatat Ahmeti-Gruevski

Në Maqedoni janë mbyllur negociatat për formimin e qeverisë së re të koalicionit, të zhvilluara për dy ditë me radhë mes Nikola Gruevskit dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Pas kësaj, përbërja dhe programi i qeverisë i janë dorëzuar Parlamentit.

Sipas agjencisë së lajmeve Ina, Parlamenti i Maqedonisë pritet që të kalojë me procedurë të përshpejtuar disa nga pikat e marrëveshjes së koalicionit të ri qeveritar. Këto çështje duhet të marrin dritën jeshile para formimit të qeverisë. Ka qenë kryesia e BDI-së, e cila mbrëmjen e vonë të së martës ka vendosur për kandidaturat e ministrave në qeverinë e re me VMRO-DPMNE.

Gjithashtu, krerët e kësaj partie janë informuar dhe kanë miratuar marrëveshjen që Ali Ahmeti ka arritur me të mandatuarin për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski. Pas kësaj, në parlament janë dorëzuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare, si dhe propozimi për mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti.

Nuk dihet akoma se sa pika të marrëveshjes do të kalojnë në procedurë të përshpejtuar. Nuk dihet se cila është marrëveshja për kishën në Kalanë e Shkupit, si dhe për fatin e ndërtimit të Burmali Xhamisë.

BDI ende nuk ka bërë zyrtare emrat e kandidatëve për anëtarë të Qeverisë, por burime jozyrtare citojnë Abdylaqim Ademin si zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi-ministër i mbrojtjes, Teuta Arifi-zëvendëskryeministre për integrimin europian, Fatmir Besimi-ministër i ekonomisë, ndërsa nuk dihen emrat e ministrave të Drejtësisë, Pushtetit Lokal dhe Ambientit Jetësor, tre ministritë të rezervuara për Gostivarin, Shkupin dhe Kumanovën.

BDI në qeverisjen e re do të ketë edhe katër zëvendësministra dhe pesë sekretarë shtetëror.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›