Mandatet e 5 deputetëve të PD-së, Kushtetuesja rrëzon PS-në
Vendimi i zbardhur i Gjykatës për padinë e socialistëve që ankonin papajtueshmërinë e mandateve të disa deputetëve të PD-së me funksionet e tyre
Pas heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja, Gjykata Kushtetuese u jep socialistëve një goditje tjetër. Dje kjo gjykatë ka shpallur vendimin për rrëzimin e kërkesës së një grupi prej 37 deputetësh socialistë, të cilët kërkonin interpretimin e neneve 69, 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës dhe që kanë të bëjnë me kushtet e papajtueshmërisë së zgjedhjes së deputetit. Arsyet e këtij rrëzimi nuk kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e pretendimeve të ngritura nga palët, por kryesisht për shkak të moslegjitimit dhe natyrës abstrakte të kërkesës.
Neni 69
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, siç vërehet edhe në vendimin e publikuar dje në faqen zyrtare të këtij institucioni, është organizuar në dy drejtime: një përsa i përket nenit 69 dhe një tjetër për tre nenet e tjera 70, 71 dhe 72. Në fillim gjykata vlerëson se kompetenca interpretuese e saj, në kuptim të nenit 124 të Kushtetutës, nuk nënkupton formulimin e interpretimeve tërësisht abstrakte të normës kushtetuese, pasi kjo do ta vinte atë në rolin e organit që jep opinione këshillimore për mënyrën se si duhet të veprojnë në të ardhmen institucionet kushtetuese. Në vendim bëhet e ditur se Gjykata vlerëson se roli dhe funksioni i saj gjatë interpretimit përfundimtar nuk është të parashikojë të gjitha hipotezat, në të cilat mund të interpretohet norma kushtetuese, nëse ato nuk janë të lidhura me mosmarrëveshje konkrete. Për këtë arsye, Gjykata vlerëson se, në kuptim të nenit 124 të Kushtetutës, ushtrimi i kompetencës së interpretimit përfundimtar të normës kushtetuese kërkon plotësimin e kushteve si vijon: së pari, norma që kërkohet të interpretohet duhet të jetë e paqartë, ekuivoke, kontradiktore dhe së dyti, kërkohet të ekzistojë një marrëdhënie e ngushtë ndërmjet normës konkrete kushtetuese dhe fakteve, mosmarrëveshjeve ose çështjeve të përcaktuara konkretisht në një ose disa akte të organit kompetent, si pasojë e zbatimit ose kuptimit të padrejtë të kësaj norme kushtetuese. Në vështrim të standardeve të mësipërme dhe rrethanave të çështjes, Gjykata vlerëson të ndalet fillimisht në verifikimin e plotësimit të kushteve që kërkon inicimi i një gjykimi kushtetues që ka për objekt interpretimin përfundimtar të normës kushtetuese. Gjykata vëren se nuk gjendet përpara ndonjë procedure të ndërmarrë ose vendimmarrjeje konkrete të Kuvendit për verifikimin e zgjedhshmërisë së ndonjë deputeti. Gjithashtu, kërkuesit nuk sollën ndonjë argument për ekzistencën e qëndrimeve të ndryshme në praktikën parlamentare për këtë çështje ose që, si pasojë e zbatimit ose kuptimit të padrejtë të nenit 69 të Kushtetutës ose paqartësive dhe kundërshtive në formulimin e këtij neni kushtetues, të ketë lindur ose krijuar ndonjë fakt, situatë, çështje ose mosmarrëveshje kushtetuese konkrete, që e bën të domosdoshëm investimin e juridiksionit kushtetues për interpretimin përfundimtar. Ndaj Gjykata arrin në konkluzionin se faktet e parashtruara nuk janë në një kontekst konkret, gjithashtu, nuk ekziston lidhje midis tyre dhe përmbajtjes së nenit 69 të Kushtetutës dhe, për rrjedhojë, nuk plotësohen kushtet për ta investuar Gjykatën në interpretimin përfundimtar të këtij neni. Si përfundim, Gjykata vlerëson se kërkesa për interpretimin përfundimtar të nenit 69 të Kushtetutës jashtë një konteksti konkret nuk përfshihet në juridiksionin e saj dhe, për rrjedhojë, kërkuesit nuk legjitimohen për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për interpretimin e kësaj norme.
Nenet e tjera
Lidhur me pjesën tjetër të kërkesës së deputetëve socialistë për interpretimin e neneve 70, 71 dhe 72, trupa e gjyqtarëve kushtetuese vëren se kjo normë ka përcaktuar Kuvendin si subjekt të posaçëm që vë në lëvizje këtë gjykim kushtetues, si dhe subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim (Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij). Vendimmarrja e Kuvendit, në kuptim të nenit 70, pika 4, thuhet në vendim është në funksion të legjitimimit të këtij subjekti për inicimin e gjykimit kushtetues për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Ndaj Gjykata vëren se krahas kërkesës për interpretimin përfundimtar të neneve 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës, iniciuar nga 1/5 e deputetëve, në datën 22.10.2010 është paraqitur në Gjykatë dhe është ende në procesin e shqyrtimit kushtetues, kërkesa për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit Ilir Beqja, paraqitur nga Kuvendi. Në kuptim të standardeve kushtetuese të përpunuara më sipër, sipas të cilave interpretimi përfundimtar i normës kushtetuese ka për qëllim zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje ose çështjeje konkrete, Gjykata vlerëson se interpretimi i neneve 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës i takon gjykimit të inicuar nga Kuvendi, në kuptim të nenit 70, pika 4, për konstatimin e papajtueshmërinë me mandatin e deputetit. Si përfundim, kërkuesit nuk legjitimohen për vënien në lëvizje të Gjykatës për interpretimin e neneve 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës. Pavarësisht se nuk fliste me emra, kërkesa e socialistëve kishte si qëllim të saj të nxirrte si antikushtetues mandatet e 5 deputetëve demokratë, të cilët, sipas PS-së, kishin marrë mandatin e deputetit në kushtet e papajtueshmërisë me Kushtetutën.