E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet per aksidentin ku humben jeten 13 persona

Shkon drejt një gabimi njerëzor rrjedha e hetimeve për shkakun e aksidentit të tragjik të pasdites së të hënës në aksin Vlorë-Himarë.
Tentativa e uljes së marshit me vonesë pasi ka parë dishezën ku kishte hyrë autobusi, si edhe reagimi i vonuar për të frenuar vetëm në momentin e fundit, duke mos e evituar dot daljen nga rruga, janë deri në orët e paradites shkaku kryesor ku janë fokusuar ekspertët e grupit hetimor.

Veç oficerëve të hetimit të aksidenteve të Vlorës, prokuroria ka kontaktuar dhe përfshirë në hetim 3 ekspertë nga Tiranë dhe Lezha për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Burimet pranë grupit hetimor thanë se nga këqyrja e mjetit ka rezultuar se nuk ka patur dëmtim apo shkëputje të sistemit të drejtimit që të mund të kenë çuar në aksident.

Konstatimet e grupit të përbashkët të ekspertëve i janë dërguar së fundmi edhe prokurorit në pritje të vendimit të tij nëse do të duhen hetime dhe elementë të tjerë shtesë, apo dokumentacioni i dërguar do të konsiderohet i plotë për dosjen e hetimit që ndodhet në prokurori.
Edhe dëshmitarë okularë kanë deklaruar se kanë parë një autobusin të lëvizte fillimisht me një shpejtësi të përafërt me 40 km/h që në momentet e hyrjes në kthesën e Tenentes, siç quhet kthesa e fundit që ka marrë autobusi, kishte shtuar shpejtësinë në 50 km/h.

Ekspertët kanë filmuar edhe rrugën e përshkruar nga autobusi për rreth 1 km deri në vendin ku kishte dalë dhe rrëzuar në humner.
Sinjalistika e atij segmenti rrugor po sipas burimeve është vlerësuar e plotë, sikundër dhe cilësia e rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›