E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sippenhaftung dhe e kundërta

Shpëtim LAME
Deri dy dekada më parë, nëse ndokush merrte guximin dhe shprehte ndonjë pakënaqësi sado të vogël, bënte ndonjë vërejtje apo gjysmë kritikë me zë të mekur, por të peshuar dhe stërpeshuar, në më të shumtën e rasteve, si hap i parë përballej me kundërshtimin e shprehur me anë të porosisë së njohur, për të treguar kujdesin maksimal, për mosnxirjen e realitetit. Ndryshe siç thuhej, për të mos e parë atë me syze të zeza. Secili pa asnjë mëdyshje duhej të kuptonte, se ato pak mangësi apo mos arritje, nuk përfaqësonin asgjë tjetër veçse vështirësitë e përkohshme të rritjes sasiore dhe cilësore, që shoqëronin zhvillimin tonë të pandalshëm. Kjo porosi slogan, në dukje si mjet i butë, në fakt përfaqësonte një urdhër të prerë. Për të matur mirë fjalët, për të përshtatur saktësisht shikimin, për të mbledhur mendtë e kokës, se përndryshe dihej se çfarë të priste. Privilegjin për marrjen e kësaj porosie, gjithmonë në mënyrë të përshkallëzuar dhe të diferencuar, por duke e ruajtur rigorozisht masën, nuk mund ta  meritonin të gjithë. E meritonin ata, që jo vetëm individualisht nuk kishin as më të voglin dyshim për drejtësinë e sistemit, por në rend të parë që, si familje dhe si fis, listoheshin në mbështetësit e dëshmuar të përhershëm të përbetuar të tij. Pjesa tjetër, nuk e gëzonte këtë privilegj. Për ta kuptuar porosinë mund të kalonte vite të tëra të jetës, në Spaç, në Batërr, në Burrel dhe në qendrat e dëbim internimit. Tejskajshëm jetësohej mendësisë mesjetare e shoqërive totalitare, pra pagesën e haraçit, me anë të vuajtjes dhe përdëllimit, duke e fajësuar njeriun gjatë gjithë jetës, për herezinë e hershme apo të vonshme, të ndonjë pjesëtari të familjes dhe të fisit të tij. Kjo dukuri është trajtuar gjerësisht në këto vite. Shembujt janë të shumtë dhe konkretë. Autorët e realizimit, gjithnjë e më të pakët dhe jo konkretë  Z. A. Klosi, nga gjermanishtja, ka përzgjedhur fjalën sippenhaftung, si më të përshtatshmen për të përafruar thelbin e këtij mentaliteti. Duke u rrekur të trajtojë, reminishencat dhe më gjerë se kaq, të sippenhaftung, për realitetin e sotëm të vendit tonë, ai arrin në përfundimin se në themel qëndrojnë tri doza; mentaliteti komunist, demagogjia dhe propaganda. Kryesori është mentaliteti komunist, por që sipas tij: si kompleks i pakorrigjueshëm i fshatit, si xhelozi e njerëzve, që zbrisnin në qendër në mënyrë anonime me kostumet e tyre të teritalit, duke sjellë nga prapa anonimitetin, përballë atyre që kishin familje më me emër, me kulturë, me të afërt të studiuar në Evropë, d.m.th si vuajtja e njerëzve, që nuk patën në rrethin e tyre asnjë dajë, xhaxha, teze a gjysh me emër në qytet. Nuk po hyjmë në analizën e përcaktimit të z. Klosi. Mjaft e vështirë është të pranosh se shtysa bazë e luftës së klasave na paska qenë, xhelozia, kompleksi i inferioritetit, diferencat arsimore, zona e banimit, urbane, suburbane, rurale, malore apo fushore. Na duket më e udhës të theksojmë se në të njëjtën masë sa sippenhaftung, ka vepruar edhe krejtësisht e kundërta e saj. Bartja e privilegjeve, përfitimeve të paracaktuara, deri si atribut i pa shpallur, por në saje të hipotekave, të besueshmërisë, të përkushtimit politik ndaj sistemit, nga ana e prindërve, e të afërmve dhe e fisit. Kjo mjeshtërisht po minimizohet, po kalohet në harresë, duke ia targetuar vetëm një numri të vogël, pra ish- ave krejt lart. Edhe sot është vepruese. Kanë ndryshuar rrafshet, mjetet, por pak ose aspak motivet dhe bashkësia. Shumë nga pjesëtarët e kësaj bashkësie, duke i mëshuar me aq zell frymës kritike për dukurinë sippenhaftug, në fakt të bëjnë të dyshosh se me dashje ose pa dashje, po japin ndihmesën e tyre mjeshtërore, për lënien në harresë të krejt të kundërtës së saj. Dje sosh prej tyre ishin përfitues, drejtpërdrejtë ose tërthorazi. Besoj se pikërisht kjo, përfaqëson dozën e demagogjinë e mentalitetit komunist. Dozë jo aq e kushtëzuar nga fakti se me kostum shajaku apo teritali ke zbritur( nënkupto nga mali) në qendër, fill pas nëntorit nëntorit 1944, apo më pas.  As edhe nga fakti se ke qenë banor denbabaden i qendrës, pasardhës me rreth familjar të studiuar në Evropë, i mbrojtur për tu mos u ngjitur asnjëherë (nënkupto në male). Njëkohësisht,  në kushtet e mbylljes tërësore të vëndit, në ato daljet e përvitshme, që vështirë se i kalonin gishtat e dorës, ke pasur mundësi të mëdha, falë trashëgimisë, për të parë qendrat e botës së qytetëruar. Ne nuk ka sesi të harrojmë,  kur për gjithçka mbizotëronte dritëshkurtësia, ndërkaq sistematikisht dhe me një largpamësi të veçantë, me veprim afatgjatë deri në ditët e sotme dhe përtej, është praktikuar edhe krejtësisht e kundërta e sippenhaftung, si anë e të njëjtës medalje. Gjatë ndërkohës së pluralizmit, duket sikur përbërësja sippenhaftung është dobësuar, ka pushuar së vepruari,  por faktet e jetës së përditshme janë gjithnjë e më mbushamendës, se ky është një perceptim i gabuar. Ajo tashmë për shumë arsye, për rrethanat e reja të krijuara, qëndron indiferente dhe mos reaguese, ndaj atyre që ju merr koka erë, pra ndaj armiqve të klasës dhe ideologjisë së tyre, sepse në fund të fundit, nuk ka më grupime klasore. Ata u shuan dhe u shndërruan në shtresa, që jo vetë nuk janë në kundërshti, por janë në bashkë ekzistencë. Të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe të papunët, tejskajshmërisht të pasurit dhe tejskajshmërisht të varfrit, të diturit me një ose pa diplomë dhe të pa diturit me dy e më shumë, të virtytshmit dhe ata që kanë alergji ndaj virtyteve, ata të djeshmit dhe po ata të sotmit, kanë programe të përbashkëta politike. Jashtë çdo doktrine dhe ideologjie, sepse edhe këto u shuan së bashku me klasat, madje nuk gjejnë vend në asnjë muze të mendimit njerëzor. Tani na prin pragmatizmi individualist, me origjinalitetin e tij shqiptar, që nuk heq dorë as nga sippenhaftung, as nga krejt e kundërta e tij. Produkti, nëse sot është i mjegulluar, jo lehtësisht i dallueshëm, nesër nuk do të jetë i tillë. Nuk ka rëndësi thelbësore se si ne i emërtojmë, klasa apo shtresa, por rëndësi ka se sa larg dhe sa pranë, për çfarë dhe për sa kohë.

Last Updated on Thursday, 05 March 2009 10:11

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›