E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, pranga të riut, u kap me euro false



DURRËS - Pranga një të riu pasi ka tentuar që të thyente 100 euro false në një pikë Western Union. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Sipas tyre, dy ditë më parë, në orën 21:00, u bë arrestimi në flagrancë i Sergej Toskajt, 22 vjeç, banues në Sukth, Durrës, me arsim 8 klasë, i padënuar më parë. Policia tha se arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 14:00 të asaj dite, në rrugën “Skënderbej”, në qytetin e Durrësit, në një pikë Western Union, ka tentuar të këmbejë një kartëmonedhë 100 euro si dhe një tjetër të vlerës 500 lekë, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara. Por, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij personi në fshatin Vadardhë Sukth, është gjetur dhe sekuestruar një tjetër kartëmonedhë 100 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Dosja me materialet procedurale në ngarkim të tij për veprën penale të falsifikimit të kartëmonedhave i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Shiste municione
Arrestohet shoferi i repartit ushtarak
BERAT - Arrestohet me akuzën e tregtimit të municioneve shoferi i repartit ushtarak në Berat. Kodhel Kosova u arrestua mëngjesin e djeshëm në afërsi të Urës Vajgurore teksa u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij me targa Skrapari një sasi të madhe municionesh me qëllim shitjen e tyre. Sipas policisë, në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan 11 arka me municione luftarake. Ndërkaq, policia ka shpallur në kërkim personin tjetër që shoqëronte 42-vjeçarin, Aziz Dylmishin, i cili është larguar menjëherë sapo policia ndaloi automjetin. Ekspertët e policisë nisën menjëherë hetimet ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 42-vjeçarit, në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat, u gjetën dhe dy armë automatike kallashnikov dhe një pushkë. Në pranga ka rënë dhe babai i punonjësit të repartit ushtarak, Osman Kosova.

Aksidenti
Përplasja, një i vdekur dhe tre të plagosur
KRUJË - Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur natën duke gdhirë dita e djeshme në Nikël të Krujës, duke shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur. Lajmi është bërë i ditur nga burimet policore të Krujës, të cilat sqarojnë se aksidenti fatal është shkaktuar si pasojë e përplasjes së një furgoni me një veturë në këtë aks rrugor. Ai që e ka pësuar në mënyrë tragjike nga kjo përplasje ka qenë 50-vjeçari Agim Milla, drejtuesi i furgonit, ndërsa tre personat e tjerë të plagosur nga ky aksident mësohet se ishin në veturën që u përplas. Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe nga hetimet paraprake ka vërtetuar se gjithçka ka ndodhur për shkak të përplasjes së dy automjeteve, ndërsa po bëhet ekspertiza për të zbuluar fakte të mëtejshme mbi ngjarjen tragjike.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›