E Diel, 1 Nëntor 2026

Shet fëmijët për orgji seksuale, dënohet me 11 vjet



FOXHIA - Shet fëmijët për 1500 euro, dënohet me 11 vite burg emigrantja shqiptare, emri i së cilës nuk është bërë i ditur. Së bashku me të janë dënuar dhe gjashtë persona të tjerë, të cilët ishin klientë. Ka qenë gazeta italiane “Corriere della Sera” që ka bërë të ditur lajmin duke treguar se gruaja 40-vjeçare që banonte në Zaponeta ishte akuzuar se kishte shitur dy fëmijët e saj, 11 dhe 15 vjeç. Por faktet tronditëse nuk mbarojnë. Shitja ishte bërë te disa klientë, ku mes tyre ishte dhe një emigrant shqiptar, të cilët kishin organizuar orgji të ndryshme. Historia vazhdon. E dënuara kishte detyruar dhe mbesën minorene që të dilte dhe të prostituonte. Vendimin e ka dhënë një trupë gjykuese e shkallës së dytë penale në Foxhia. Shtatë është numri i personave të përfshirë në këtë rrjet të blerjes dhe shitjes së fëmijëve. Akuzat që kanë rënduar mbi ta janë “dhunë seksuale në grup”, “favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni” etj.
Vendimet
Gjatë dhënies së vendimit, trupi gjykues ka vendosur që të lirojë babanë e fëmijëve pasi ishte vërtetuar se ai nuk kishte dijeni për shitjen dhe aktivitetin e zhvilluar. Ndërkohë që ka dhënë vendime me disa vite burg për të akuzuarit. “Gjykata ka vendosur të dënojë xhaxhanë e fëmijëve, një klient italian dhe një shqiptar, respektivisht me nga 9, 6 dhe 5 vite burg”, - bën të ditur gazeta italiane “Corriere della Sera”. Ndërkohë, mamaja e fëmijëve është akuzuar edhe për shitjen e mbesës së saj në shumën e 1500 eurove, ndaj klientit shqiptar, i cili më pas kishte marrë dhe shtetësinë. Por ai e kishte përdhunuar në mënyrë të përhershme. Siç bëhet e ditur, edhe një ish-zyrtar i Bashkisë së Zaponetës është dënuar, pasi kishte pasur marrëdhënie seksuale me mbesën e emigrantes në vitin 2006.
Hetimet
Gjithçka kishte nisur më 18 shtator të vitit 2008. Këtë ditë policia kishte vënë në pranga pesë persona, mes të cilëve dhe gruan që është akuzuar se kishte detyruar fëmijët e saj, 11 dhe 15 vjeç, që të kryenin marrëdhënie seksuale me persona të tjerë dhe më pas i kishte shitur. Gazeta italiane ka bërë të ditur se gjatë orgjive mamaja e fëmijëve recitonte formula magjike, të shkruara në copa letrash, të cilat janë sekuestruar nga hetuesit. Hetimet kishin nisur që në dhjetor të vitit 2006, kur një punonjës social kishte njoftuar për braktisjen e dy fëmijëve. Ata i ishin besuar Gjykatës së të Miturve dhe gjatë një seance dëgjimore me një edukatore ishin zbuluar dhe abuzimet. Ata kishin treguar për mamanë e tyre që lexonte letrat, për qirinjtë dhe për njerëzit që bënin abuzime seksuale ndaj tyre. Nga ana tjetër, avokatja Innocenza Starace, përfaqësuesja ligjore e gruas (mamasë së dy fëmijëve), tha se është e çuditur se si gjykata nuk ka bërë disa kontrolle për të vlerësuar dëshmitë e dhëna nga fëmijët, pasi, sipas saj, “kishin pasur deklarata kontradiktore gjatë dëshmive të tyre”.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›