E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikimi, dënimi i Ziko Lenës me 21 vite burg



Pak ditë më parë është sjellë nga Greqia Ziko Lena, i dënuar me 21 vite burg për trafikimin e fëmijëve kundrejt 500 mijë lekëve. Policia e Shtetit konfirmoi se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është kryer ekstradimi nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë, i shqiptarit Ziko Lena, 60 vjeç, lindur në Pogradec. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me Vendimin Nr. 19, datë 5 prill 2006, e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të të miturve”. Sipas policisë, Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e një gruaje shqiptare drejt Greqisë duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi shtetasja në fjalë ishte shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës, shtetasi Ziko Lena, i ndihmuar edhe nga bashkëshorti i gruas, e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500 mijë lekëve dhe e kanë kthyer sërish shtetasen në Shqipëri. Arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt vendit tonë është bërë nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët grekë.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›