E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonata, alarm për bombë në shkollë, ndalohet nxënësi



ELBASAN - Është ndaluar nxënësi që alarmoi dy shkolla dy ditë më parë në Elbasan, pasi telefonoi policinë duke deklaruar se ishte vënë një bombë me sahat. Policia lokale tha se, pas hetimeve intensive, 24 orë pas telefonatës është ndaluar Endri Gjyla, 19 vjeç. “Pas një pune intensive të kryer nga ana e shërbimeve të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të ngjarjes së ndodhur në datën 3 maj 2010, i cili është Endri Gjyla, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Llixha, komuna Tregan, Elbasan, nxënës në vitin e 3-të”, - thanë dje burimet zyrtare të uniformave blu. Sipas tyre, ndalimi i të riut është bërë pasi Prokuroria kishte nxjerrë një urdhër ndalimi për të sepse Gjyla, dy ditë më parë, kishte telefonuar në sallën operative të Policisë Elbasan, duke njoftuar se në lagjen “28 Nëntori”, te shkollat “Ali Myftiu” dhe “Sali Ceka”, që ndodhen afër me njëra-tjetrës, ishte vendosur një minë me sahat.
Pas telefonatës në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë bërë evakuimin e nxënësve në të dyja shkollat. Pas kësaj i gjithë ambienti i brendshëm dhe i jashtëm është kontrolluar me mjete speciale metalkërkues, për identifikim e lëndëve eksplozive. Por, pas shumë kontrollesh ka rezultuar se telefonata e bërë ishte e rreme. Pas këtyre veprimeve ka nisur menjëherë hetimi dhe është zbuluar dhe nxënësi që kishte bërë telefonatën me qëllim që t’i shpëtonte provimit. Pas disa orë hetimesh dhe me marrjen në pyetje të nxënësve është mësuar dhe emri i personit që ka bërë telefonatën. Nga kërkimet e uniformave blu është bërë dhe gjetja e tij dhe më pas ndalimi. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se pas ndalimi është duke u punuar për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ndaj Gjylës, nën akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›