E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi, Griselda Zaimi tentoi dy herë t’i jepte fund jetës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 04-06-2011 12:14

Tiranë E shkuara e Griselda Zaimit dhe marrëdhënia e saj me Elvis Rroshin, duket se nuk ka qenë asnjëherë në nivelet që kërkonte 28-vjeçarja. Kjo marrëdhënie, hera -herës e tensionuar, si dhe moslindja e fëmijëve, sipas ekspertëve, ka sjellë edhe historinë e trilluar që tronditi mbarë vendin tri ditë më parë. Vajza e re, me orgjinë nga Përmeti dhe banuese në Tiranë, edhe më parë ka reflektuar gjendjen e rënduar psikologjike, që më së shumti vinte nga moslindja e fëmijëve. Sipas dëshmisë së dhënë dy ditë më parë, në Prokurorinë për Krime të Rënda, Griselda Zaimi (Rroshi) ka tentuar të paktën dy herë vetëvrasjen. Edhe pse nuk ka kryer asnjë veprim për t’u vetëflijuar, ajo ka deklaruar para prokurorëve se dy herë ka menduar t’i japë fund jetës. Këto deklarime të 28-vjeçares, ekspertët i lidhin me gjendjen e saj mendore, e cila është rënduar padyshim në momentin kur vajza ka mësuar se nuk mund të ketë fëmijë. Ky ka qenë edhe rasti i parë kur Griselda ka menduar t’i japë fund jetës, veprim të cilin nuk e ka kryer, për të trilluar më pas historinë e tmerrshme të rrëmbimit dhe detyrimit për lindje të parakohshme. Në fund të shtatzënisë së rreme, që ka zgjatur për rreth 9 muaj, vajza ka menduar sërish vetëvrasjen. Këtë radhë, sipas dëshmisë së 28-vjeçares, mendimi për t’u vetëflijuar ka ardhur në hotelin ku ka qëndruar para rrëfimit të historisë horror te të afërmit e saj, të cilët iu drejtuan policisë për të bërë denoncim. Në dëshminë e saj, por edhe deklarimet e punonjësve të hotelit, tregojnë se vajza nuk ka tentuar vetëvrasjen, pasi gjatë kësaj kohe ajo ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka kërkuar taksi për të shkuar në një klinikë private. Pikërisht këto dy momente, por edhe sajesa e rrëmbimit dhe detyrimi për lindje të parakohshme, sipas prokurorisë, janë elementë të mjaftueshëm për të ngritur pikëpyetje mbi gjendjen mendore të 28-vjeçares. Për këtë arsye, organi i akuzës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor në drejtim të saj. Momentalisht, hetuesit e çështjes kanë vendosur që 28-vjeçarja t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor, ndërsa janë në pritje të një raporti nga një mjek psikiatër, i cili ka asistuar gjatë dëshmisë që vajza dha para prokurorëve të Krimeve të Rënda dy ditë më parë. Angazhimi maksimal i policisë dhe prokurorisë pas denoncimit të kunatit të saj, që u rrëzua nga vetë vajza, sipas Kodit Penal, përbëjnë vepër penale dhe ndëshkohen nga ligji. Por në rastin konkret, organi i akuzës thotë se nuk do të nxitohet me veprimet ligjore në drejtim të 28-vjeçares. Arsyeja e parë është gjendja e saj mendore që do të shqyrtohet dhe analizohet nga ekspertët përkatës, të cilët do të dalin me një raport përfundimtar për këtë çështje. Po sipas prokurorisë, arsyeja përse momentalisht nuk do të ngrihet asnjë akuzë penale ndaj Griselda Zaimit ka të bëjë me faktin se denoncimi në polici është bërë nga kunati i saj, i cili u është referuar thënieve të 28-vjeçares mbi skenarin horror të rrëmbimit dhe lindjes së detyruar. Duke qenë se vajza nuk ka vënë drejtpërdrejt në lëvizje organet e policisë dhe prokurorisë, e bën të vështirë ngritjen e akuzës ndaj saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›