Griselda “ngujohet” në shtëpinë e prindërve
Fqinjët e familjes Zaimi: Nuk i kemi parë të dalin. I ati e ka përjetuar shumë keq dhe e reflekton brengën dhe gjendjen e shokut
Dera e familjes Zaimi është mbyllur që prej momentit kur Griselda u rikthye aty, pas historisë së sajuar që shokoi gjithë opinionin publik. Në një apartament në katin e katërt të një pallati në lagjen “Ali Demi”, prej vitesh jeton familja e Muhamet Zaimit. Griselda, vetëm mbrëmjen e së enjtes ka shkuar në shtëpinë e saj, pas sqarimit me Elvis Rroshin, me shumë gjasa i fundit mes tyre. Nuk dihet me saktësi nëse Griselda po i kalon këto momente te prindërit në Tiranë, por i sigurt është fakti që prindërit e saj gjenden në shtëpi dhe refuzojnë t’u hapin derën dhjetëra gazetarëve që interesohen. “Nuk i kemi parë sot fare. I ati e ka përjetuar shumë keq dhe e reflekton shumë brengën dhe gjendjen e shokut”, - thotë një fqinje e familjes. Partnerja e kreut të Bashkisë së Kavajës, Griselda Zaimi u nis mbrëmjen e së enjtes për në shtëpinë e prindërve të saj në zonën e njohur si “Ali Demi” në Tiranë. Pas orësh të tëra shoqërimi në disa institucione shtetërore, ajo është përcjellë mbrëmjen e së enjtes në shtëpinë e prindërve të saj, dhe jo në Kavajë, në banesën e çiftit Rroshi. Nga mjekësia ligjore, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, 28-vjeçarja është dërguar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, institucione që kanë konfirmuar faktin se Griselda nuk ishte dhe nuk ka qenë kurrë shtatzënë. Më pas, 28- vjeçarja u dërgua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u mor sërish në pyetje dhe u përball me faktet dhe provat që drejtësia kishte në dorë, për të rrëzuar gjithë alibinë e ngritur prej saj. Në këto kushte, ajo është detyruar të pranojë se kishte trilluar gjithë historinë, ndërsa zyrtarisht ende nuk është mësuar se cili ka qenë shkaku i sajimit të kësaj historie që tronditi gjithë opinionin publik. Fillimisht, policia dhe prokuroria rrëzuan pretendimet e saj për rrëmbim dhe pengmarrje, ndërsa më pas 28- vjeçarja u detyrua të pranojë se kishte sajuar shtatzëninë, për të mbajtur lidhjen me Elvisin, marrëdhëniet me të cilin duket se nuk ishin ashtu siç ajo i dëshironte.
Griselda i kërkoi familjes të mos denonconte
Sipas dëshmisë së 28-vjeçares, ku pranon sajimin e gjithë historisë, thuhet se ajo u ka kërkuar familjarëve të saj të mos njoftonin policinë. Vajza duket se kishte planifikuar që gjithçka të mbetej brenda familjes së kryebashkiakut aktual të qytetit të Kavajës, pa menduar pasojat që kjo histori do të kishte në opinionin publik. Këtë qëndrim të saj, familjarët e Elvis Rroshit e kanë marrë si frikë nga tmerri i përjetuar dhe ka qenë vëllai i tij, ai që i është drejtuar policisë për kërcënim. Grupi hetimor vazhdon të kryejë verifikime përkatëse, sa i përket zbardhjes së plotë të historisë, ndërkohë që deri në këtë fazë të hetimit, nuk ka ende asnjë përgjegjës ligjor për ngjarjen e rëndë, që tronditi mbarë opinionin në Shqipëri.