E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i 21 janarit, fletë-thirrje edhe për deputetët Bare e Xhafaj

SHKRUAN: Leonard Bakillari 27-01-2011 14:28

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar edhe dëshmitë e dy deputetëve socialistë, në kuadër të hetimit të organizatorëve të demonstratës së 21 janarit, për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë

Tiranë Paralelisht me vrasjen e tre demostruesve, prokuroria po heton edhe për organizatorët e demostratës së 21 janarit dhe arsyet përse kjo protestë degjeneroi në dhunë. Pas kërkesës për marrjen e dëshmive të deputetëve Tom Doshi e Paulin Sterkaj, organi i akuzës ka kërkuar edhe deklarimet e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Bare. Sipas informacioneve të përcjella nga Policia në organin e akuzës rezulton se kërkesa për leje në strukturat e policisë është drejtuar nga deputeti Besnik Bare, në emër të Partisë Socialiste të Tiranës. Për të marrë informacione më të detajuara për mënyrën e organizimit të demostratës dhe personat që janë marrë drejtpërdrejt me të, Prokuroria ka vendosur të marrë edhe dëshminë e deputetit Bare, i cili do të thirret së shpejti për të shpjeguar motivet e protestës dhe qëllimin e saj. Bashkë me të, organi i akuzës ka vendosur të marrë edhe dëshminë e deputetit Fatmir Xhafaj, i cili është filmuar nga kamerat jo vetëm si pjestar në demostratën e organizuar nga Partia Socialiste, por edhe si i dhunuar nga policia. Për të sqaruar të dyja çështjet, si organizimin e protestës, ashtu dhe dhunën që është ushtruar ndaj tij, të paktën nga ajo që prokuroria ka evidentuar nëpërmjet pamjeve filmike, deputetit socialist pritet t’i mbërrijë fletëthirrja për të dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës. Marrja në pyetje e Bares dhe Xhafajt e çon në katër, numrin e deputetëve socialistë, të cilët janë shfaqur në pamjet filmike si pjesmarrës apo organizatorë të demostratës së 21 janarit, gjatë së cilës humbën jetën 3 demonstrues e u plagosën shumë punonjës policie dhe civilë. Më herët, prokuroria ka kërkuar zyrtarisht dëshmitë e deputetëve Tom Doshi e Paulin Sterkaj, të filmuar nga kamerat e televizioneve si politikanët më aktivë në demonstratën e së premtes. Deputeti Doshi ishte njoftuar të paraqitej në prokurori rreth orës 19:00 të datës 25 janar, por marrja e tij në pyetje është shtyrë për shkak të disa angazhimeve që i kanë dalë deputetit, në orarin e caktuar për të dhënë dëshminë. Prokuroria thotë se marrja e dëshmisë së deputetit Tom Doshi është shtyrë për një ditë tjetër. Sa i përket deputetit Paulin Sterkaj, ky i fundit, në një komunikim për “MAPO”-n ka mohuar të ketë marrë një fletë-thirrje, por ka shtuar se është i gatshëm të dëshmojë për demonstratën e 21 janarit. Deputetët e Partisë Socialiste pritet të merren në pyetje për të sqaruar akuzat mbi një organizim të mundshëm të dhunës në Kryeministri, ndërkohë që Policia e Shtetit i ka referuar organit të akuzës edhe deklaratat publike të kreut të opozitës, Edi Rama apo aleatit të tij, Skënder Gjinushi para demonstratës së të premtes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›