Dëshmia në Prokurori: Momentet e vrasjes së Dedës para syve të mi
Hysni Peposhi dhe tre dëshmitarë okularë të tjerë kanë dëshmuar në prokurori momentet e vrasjes së Hekuran Dedës. Peposhi: Do iknim së bashku në Greqi, plumbi erdhi nga gardisti
Tiranë Një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së Hekuran Dedës, viktima e parë në radhët e demonstruesve të 21 janarit, ka treguar dje në prokurori detajet e ngjarjes tragjike. Hysni Peposhi, personi me xhup kaf që shfaqet në filmime duke mbajtur viktimën Hekuran Deda, pak çaste pasi ai bie nga platforma në krah të Kryeministrisë, ka rrëfyer momentet fatale për mikun e tij, me të cilin kishin planifikuar të shkonin në Greqi, pas demonstratës së PS-së. Peposhi dhe tre dëshmitarë të tjerë, të pranishëm në momentet e vrasjes së Hekuran Dedës, kanë hyrë në Prokurorinë e Tiranës rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme, ku kanë qëndruar për disa orë, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit për ngjarjen. Hysni Peposhi, shok me viktimën prej disa vitesh, e ka nisur rrëfimin e tij rreth njohjes me Hekuran Dedën, që ka nisur në vendlindjen e tyre në Kalanë e Dodës, ndërsa më pas familjet e tyre janë zhvendosur në fshatin Laknas pranë Kamzës. Dëshmitari ka treguar se ditën e protestës janë nisur në drejtim të Tiranës rreth orës 9:30 të mëngjesit, ndërsa ka pohuar se pas demonstratës do të riniseshin sërish drejt Greqisë, ku qëndronin e punonin prej disa vitesh. Dëshmitari, i cili shfaqet duke mbajtur kokën e viktimës Hekuran Deda, ka treguar edhe momentet fatale, kur, sipas tij, së bashku me 36-vjeçarin kanë qenë në një platformë të ngritur nga televizionet disa metra larg portës hyrëse të Kryeministrisë. Burime të Prokurorisë janë treguar të rezervuara rreth detajeve të dëshmisë së Hysni Peposhit, por mësohet se ai ka pohuar faktin se plumbat kanë ardhur nga Kryeministria. Dëshmitari ka deklaruar se pak momente para ngjarjes, Hekuran Deda ka qenë pranë tij dhe për një moment, ai është kthyer për t’i dhënë një cigare njërit prej protestuesve. Pikërisht ky ka qenë edhe momenti i goditjes së plumbit, kur ai ka parë shokun e tij të rrëzohej nga platforma dhe të binte në tokë. Dëshmitari ka deklaruar se menjëherë ai ka zbritur për t’i dhënë ndihmën e parë mikut të tij, por ka parë shumë gjak dhe një vrimë të shkaktuar nga plumbat në pjesën e majtë të kokës. Më pas mes tyre është afruar edhe një grua, e cila ka thënë se ishte mjeke dhe mund të ndihmonte të plagosurin, por ai kishte humbur shumë gjak për shkak të plagës së marrë në kokë. Peposhi është pyetur nga prokurori për detaje të tjera rreth momenteve para ngjarjes, vendin ku ata qëndronin, pozicionin ekzakt ku ndodheshin gjatë kohës që është qëlluar Hekuran Deda dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me sqarimin e rrethanave të vrasjes së tij. Mësohet se dëshmitari ka pohuar edhe deklaratën publike që ai ka bërë, ku ka thënë se një gardist ka qëlluar nga ana e majtë e Kryeministrisë. Dëshmitari ka qartësuar se fillimisht janë dëgjuar breshëri armësh, ndërsa më pas gardisti ka qëlluar tek e tek, duke hedhur dyshime se ai mund të kishte shenjestruar protestuesit. Por ky version duket pak i besueshëm në këtë fazë të hetimit, pasi ekspertët nuk kanë mundur të gjejnë predhën që ka goditur 33-vjeçarin Hekuran Deda. Duke parë gjurmët e plagës së shkaktuar, rezulton se ai është goditur nga një predhë luftarake, që dyshohet se është qitur nga një armë automatike model “AK 47”, apo siç njihet ndryshe “Kallashnikov”. Edhe tre personat e tjerë, të thirrur nga prokuroria për të dëshmuar, kanë dhënë versionin e tyre për momentet e ngjarjes ku humbi jetën Hekuran Deda, babai i dy fëmijëve.