Hetimi i KLSH-së: Ministritë, 83 milionë lekë abuzime për makina luksoze
Ervin Koçi
Qeveria dhe qeveritarët abuzojnë në mënyra të ndryshme me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Institucionet e administratës shtetërore kanë bërë batërdinë me paratë e buxhetit të shtetit, duke i harxhuar ato për shpenzime luksi. Të gjitha ministritë, por edhe institucionet e tjera në varësi të tyre, kanë abuzuar me fondet e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për blerjen e automjeteve që janë nën varësinë e tyre. Ky është rezultati që publikohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga monitorimi i 12 ministrive dhe 18 institucioneve të tjera qendrore të pavarura. Sipas raportit të kontrollit bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme prej 83 milionë lekësh, e cila është vlera e abuzimit për këto dy vjet nga ministritë, të cilat justifikojnë faktin se këto të ardhura janë përdorur për riparimin e automjeteve, ndërkohë që ato nuk kanë përshkuar asnjë kilometër. Kontrolli nga ana e institucionit dhe ekspertëve të KLSH-së u krye nga data 5 maj deri në datën 20 qershor 2008, sipas drejtimeve të përcaktuara për periudhën e veprimtarisë së ushtruar nga subjektet e kontrolluara nga data 1 janar 2006 deri më 31 dhjetor 2007. Ndërsa për vitin 2008 mungojnë shifrat e sakta nga KLSH-ja për përdorimin e makinave dhe fondet që janë rezervuar për riparimin e tyre. Synimi i kontrollit për 12 ministritë dhe 18 institucionet qendrore të pavarura ishte ndihmesa në arritjen e përdorimit me efektivitet të fondeve publike, për shpenzimet mbi riparimin e automjeteve. Për vitet 2006-2007 janë në inventarë të 30 institucioneve gjithsej 837 automjete, të cilat kanë përshkuar gjithsej mbi 22 milionë km, duke shpenzuar nga buxheti i shtetit rreth 216 milionë lekë.
Riparimet
Në zbatim të programit të kontrollit u grumbulluan të dhëna nga 12 ministri dhe 18 institucione qendrore mbi përdorimin e shpenzimeve për servisin e automjeteve. Shpenzimet mesatare më të mëdha për riparime për 100 km të përshkuara janë të institucioneve si Gjykata e Apelit, Ministria e Shëndetësisë, Kryeministria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Drejtësisë dhe INSTAT-i, ndërsa institucionet që kanë vlerat mesatare të riparimit më të ulëta për 100 km të përshkuara janë: Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Kuvendi dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Blerjet e reja
Nga 837 automjete në inventar të 30 institucioneve rezultojnë 28 lloje të ndryshme që u përkasin 132 tipeve të veçanta. Duke iu referuar blerjeve për vitet 2006-2007 rezultoi se janë blerë 70 automjete të reja, të cilat kapin vlerën 190 milionë lekë dhe u përkasin 17 institucioneve. Ndërkohë për këto automjete çmimet e blerjes për tipe të njëjta kanë qenë me diferenca të konsiderueshme në çmim. Gjatë mandatit 4-vjeçar të demokratëve, institucionet që kanë blerë automjete të reja janë Kuvendi, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Abuzimet
83 milionë lekë është shuma që është shpenzuar nga ministritë dhe institucionet qendrore të vendit, duke pasur si justifikim riparimin e automjeteve. Nga 30 institucionet e kontrolluara, 8 prej tyre, ose e thënë ndryshe 19 automjete, kanë shpenzuar karburant mbi normativat e lejuara. KLSH-ja ka konstatuar gjithashtu se 94 automjete janë në dispozicion për 11 institucione. Po këto institucione nuk kanë raportuar vlerën fillestare të automjeteve që kanë në përdorim. KLSH-ja rekomandon që duke marrë shkas nga ky kontroll, gjykohet se i duhet kushtuar më shumë kujdes kontrollit të administrimit të automjeteve dhe kryerjes së shpenzimeve në të gjithë administratën qendrore dhe vendore, që financohet nga buxheti i shtetit. Për përmirësimin e gjendjes në të ardhmen nga ana e KLSH-së u rekomanduan masa organizative dhe propozime për ndryshime apo përmirësime të legjislacionit në fuqi.
Mospagimi i taksave
Fakti më tronditës dhe po aq edhe skandaloz është ai se më shumë se gjysma e makinave që janë në inventarin e ministrive apo institucioneve qendrore të pavarura nuk kanë paguar taksat dhe madje as nuk kanë kryer kontrollin teknik të detyrueshëm. KLSH-ja bën të ditur se 489 automjete në varësi të 12 ministrive dhe 18 institucioneve nuk kanë paguar detyrimet që rrjedhin nga taksat dhe kontrolli teknik, që të llogaritura vetëm për vitet 2006-2007 arrijnë mesatarisht vlerën 11.736.000 lekë. KLSH-ja sqaron gjithashtu se një pjesë e madhe e këtyre automjeteve nuk kanë paguar detyrimet që nga viti 2000. E njëjta gjendje është në të gjithë administratën shtetërore, duke krijuar humbje të konsiderueshme për të ardhurat buxhetore.
Institucionet me më shumë abuzime
1. Kuvendi
20 milionë lekë ishte parashikuar fondi për Kuvendin e Shqipërisë për blerjen e mjeteve të reja të transportit gjatë vitit 2007. Sipas kontrollit të KLSH-së, 17.5 milionë lekë janë përdorur nga Kuvendi për të blerë 5 autovetura të reja, njëra e tipit "Benz", një "Volksagen Passat" dhe 3 "Volkswagen Touareg". Gjithashtu nga Kuvendi janë planifikuar 43.7 milionë lekë për kryerjen e shërbimeve të riparimit për mjetet e transportit në përdorim me një realizim prej 41 milionë lekësh. Për blerjet e reja dhe shërbimin e riparimit të mjeteve të transportit janë përdorur procedurat e prokurimit “tender i hapur”. Nga kontrolli rezultoi se për 31 mjete të Kuvendit nuk janë zbatuar dispozitat ligjore e nënligjore për nxjerrjen jashtë përdorimit dhe çregjistrimin e mjeteve të transportit pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Për rrjedhojë, në arkivin qendror të DPSHTRR ato figurojnë si mjete në përdorim. Nga ana e institucionit të Kuvendit për të dy vitet janë lëshuar urdhrat për pagesat e taksave të regjistrimit, kolaudimit dhe qarkullimit, ndërkohë që nga kontrolli rezultoi se për 10 mjete për vitin 2006 dhe 9 mjete për vitin 2007 nuk janë paguar taksat. KLSH-ja konstaton se për vitet 2006-2007, për 148 mjete, të cilat kanë përshkuar 5485300 kilometra, janë shpenzuar për riparim 41 milionë lekë.
2. Ministria e Financave
Nga Ministria e Financave janë blerë për vitin 2007 dy automjete të tipit "Range Rover" dhe "Hyndai Santa Fe". Për blerjet e reja dhe shërbimin e riparimit të mjeteve të transportit janë përdorur procedurat e prokurimit të hapur. Nga Ministria e Financave për riparimin e automjeteve për vitet 2006-2007 janë parashikuar në buxhet 8 milionë lekë, ndërsa me kryerjen e riparimeve kjo ministri ka shpenzuar 6 milionë lekë për 19 mjete, ndërkohë që 5 mjete janë në garazhin e kësaj ministrie dhe nuk kanë përshkuar kilometra për vitet 2006-2007.
3. Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë ka blerë në vitin 2006 automjete të tipit "Nisan Patrol", prodhim i vitit 1999, me vlerë fillestare 1.9 milionë lekë, ndërsa për vitin 2007 nuk ka blerë automjete. Me kryerjen e riparimeve për të dy vitet, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 9.7 milionë lekë për 18 mjete, ndërkohë që 1 makinë "Opel Frontera" nuk ka përshkuar kilometra dhe nuk i janë bërë riparime. Por i çuditshëm është fakti se në formularin e Ministrisë së Shëndetësisë cilësohet se kjo makinë është larguar nga institucioni, por nuk cilësohet se ku është transferuar.
4. Ministria e Kulturës
Kjo ministri ka blerë në vitin 2006 një autoveturë të tipit "Peugeot 407", prodhim i vitit 2005, ndërsa në vitin 2007 nuk ka pasur blerje autoveturash. Nga krahasimi i bërë i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor me të dhënat e sjella nga kjo ministri me Shkresën Nr. 3062/1, datë 13.05.2008, rezultoi se nga kjo ministri 5 mjete nuk i janë nënshtruar kontrollit të përvitshëm teknik.
5. Ministria e Ekonomisë
Në vitin 2007, nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës janë blerë 4 automjete, prej të cilave dy "Toyota L/C", prodhim i vitit 2001, një "Chevrolett Kalos", prodhim i vitit 2004 dhe një "Land Rover", prodhim i vitit 2001. Për vitet 2006-2007 janë planifikuar 7.7 milionë lekë për kryerjen e shërbimeve të riparimit për mjetet e transportit në përdorim me një realizim prej 6.6 milionë lekësh. Nga kjo ministri janë paguar detyrimet për 14 mjete për vitin 2006 dhe 15 mjete për vitin 2007, pra janë pa paguar detyrimet për 10 mjete si taksë regjistrimi, taksë qarkullimi dhe kontroll teknik. Po nga kjo ministri nuk është paguar siguracioni vjetor për 10 mjete.
17 Janar 2009