E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma në bujqësi, kategoritë e fermerëve që përfitojnë nga fondi 1.3 miliardë lekë



Qeveria ka në plan të vërë në përdorim një fond të konsiderueshëm ndihme për sektorin bujqësor në vend, duke e konsideruar si një ndër sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit. Bëhet fjalë për një fond të konsiderueshëm prej 1.3 miliardë lekësh, i cili do t’i akordohet Ministrisë së Bujqësisë dhe, nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe kritereve të specifikuara, do t’u ndahet ekonomive të ndryshme fshatare. Sipas të dhënave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Financave kanë miratuar udhëzimin përfundimtar mbi zbatimin e VKM-së “Për mbështetjen e prodhimit bujqësor”. Ky fond është parashikuar në buxhetin e MBUMK-së për vitin 2009 në zërin “Transfertë në buxhetet familjare”, në shumën 1.3 miliardë lekë dhe do të përdoret 600 milionë lekë deri në fund të muajt qershor 2009, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret në përputhje me performancën e të ardhurave buxhetore. Nga mbështetja do të përfitojnë fonde 19 nga 12 skema që ishin vitin e kaluar: Kështu shumat e parave si subvencion për secilin sektor bujqësor do të jenë si vijon: për prodhim vaj-ulliri “extra-vergine”: 100 lekë/litër; për mbrojtje të ullishtave nga miza e ullirit: 17.000 lekë/ha; për certifikim të produkteve bujqësore “bio” nga bimët e kultivuara: deri në 70 mijë lekë/ferma; për ujitjen me pika në pemëtoret intensive në sipërfaqe jo më pak se dy dynym 300.000 lekë/ha; për prodhim fidanësh për llojet autoktone të rrushit “Kallmet”, “Debinë” dhe “Vlosh” për fidanishte për sipërfaqe jo më pak se 3 dynym, 1.2 milionë lekë/ha; për ngritje vreshti të ri, për sipërfaqe jo më pak se 5 dynym 500.000 lekë/ha; për ngritje pemëtoresh të reja, për sipërfaqe jo më pak se 4 dynym, 300.000 lekë/ha; për ngritje ullishtash të reja, sipërfaqe jo më pak se 4 dynym, 300.000 lekë/ha; për serat me ngrohje teknike për ndryshimin e sistemit të përdorimit të lëndës djegëse nga naftë në solar: 1.5 milionë lekë/ha. Këtë vit do të hyjë për herë të parë në skemat mbështetëse prodhimi i luleshtrydhes, rritja e kërmijve etj. Për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë qumështi të matrikulluara dhe që dorëzojnë prodhimin në qendrat e përpunimit të regjistruara në organet tatimore, masa e mbështetjes do të jetë 10.000 lekë/krerë/lopë në vit për racat e pastra. Për mbarështimin e dhenve në kullota, për vendqëndrime dhe lëvizje nga kullotat verore në ato dimërore dhe anasjellas, për tufat me mbi 50 krerë të matrikulluara, masa e përfitimit do të jetë 50.000 lekë/vit për fermë dhe për tufat mbi 150 krerë, 100.000 lekë/vit për fermë. Edhe këtë vit do të vazhdojë subvencionimi i normës së interesit për kreditë që përdoren për veprimtaritë bujqësore ku përfitues do të jenë kompanitë që grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, shoqëritë e prodhimit dhe tregtimit në bujqësi.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›