Bufone: “Filipi, si Vuçiniçi i Romës”
Dash Frashëri
Mesfushori Brian Filipi është emri më i lakuar shqiptar në merkaton dimërore italiane. Talenti 19-vjeçar, në bashkëpronësi të Palermos (Seria A) dhe Ravenës (Seria C1), ishte në epiqendër të një prej faqeve më të rëndësishme sportive në Itali, “Mediagol.it”. Në fakt për të foli posaçërisht drejtori Sportiv i Ravenës, Xhorxho Bufone. “Filipi nuk është thjesht një mesfushor. Mund të luajë edhe si sulmues i parë apo i dytë, ose si anësor ofensiv”, - citohet Bufone nga mediagol.it. “Ka cilësi të mëdha teknike dhe shkathtësi. Është një lojtar i Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe që ka shënuar (me Ravenën) 8 gola, 2 në kampionat dhe 6 në Kupën e Italisë. E vetmja gjë që duhet të përmirësojë është vazhdimësia në rendiment, pasi në nivelin e cilësive teknike e fizike, është tashmë në nivel të lartë”. Bufone jep edhe një shembull për sajtin e specializuar për merkaton në Itali, calciomercato.com. “Për t’u dhënë të gjithëve një ide më të qartë në lidhje me tipin e lojtarit, në modulin që shpesh përdor Roma, Briani mund të ishte një lloj (Mirko) Vuçiniç, ka të njëjtat karakteristika”. Bufone vazhdon: “Edhe nga ana e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë ka një konsideratë të madhe për të, për moshën që ka duhet të luante me një përfaqësuese më të vogël. Është duke u rritur dhe sipas meje është një nga ata që ka për të bërë rrugë të madhe në futboll”.
I intervistuar nga mikrofonat e “Mediagol.it”, drejtori Sportiv i Ravenës tregoi edhe kushtet e marrëveshjes me Palermon në lidhje me transferimin e të riut Brian Filipi. “Palermo, me këshillën e Valter Sabatinit, një mik dhe një person që e çmoj shumë dhe që e shoh shumë pranë të rinjve, ka të drejtën e opsionit që ta marrë lojtarin brenda 30 qershorit me një shifër, që tashmë është e vendosur, - deklaroi Bufone, - por mund të them se në do të japim vetëm 50 për qind të kartonit, ashtu siç kemi bërë me Suçin, pasi besojmë shumë në cilësitë e lojtarëve tanë dhe për ne është shumë e rëndësishme kur këtë e bëjmë me klube prestigjioze (si Palermo)”.
BOGDANI
Bogdani kërkohet thuajse nga gjysma e ekipeve të Serisë B në Itali. Lajmin e jep sajti prestigjioz sportiv Eurosport.it. Me Kievon e vendit të fundit në Serinë A, “Er-Bomber” nuk e ka shënuar ende golin e parë këtë sezon. Pak kohë më parë për sulmuesin e Kombëtares A ekzistonte pista e Romës, por drejtuesit verdhekuq nuk e pranuan këmbimin me të riun Okaka.
“Armiku” Kenedi: “Kapllani ma mori vendin me zotësi”
Edmond Kapllani shënoi dy herë në fitoren 3-1 të Karlsruhes në miqësoren kundër Fortunës së Dyseldorfit (skuadrës së Bekim Kastratit), edhe pse luajti vetëm 45 minutat e dyta. Performancën e shkëlqyer të sulmuesit shqiptar e ka pranuar edhe rivali i tij më i madh te Karlsruhe, australiani Xhoshua Kenedi. Duke iu përgjigjur gazetës popullore gjermane “Bild”, në lidhje me aktivizimin si titullar të Kapllanit në katër ndeshjet e fundit të fazës së parë të Bundesligës, Kenedi tha: “Kapllani e fitoi me zotësi shansin e tij, trajneri (Beker) nuk ka qenë aspak i kënaqur me lojën time”.
Dinamo, sot miqësore me Terekun e Likës
Dinamo do të zhvillojë të premten (17 janar 2009) një ndeshje miqësore me skuadrën çeçene, Terek Grozni, portier i së cilës është Ilion Lika, një ish-lojtar i Dinamos. Ky test do të shërbejë edhe për Igli Allmuçën e Dinamos, i kërkuar nga Tereku i kampionatit rus. Dario Bodrusiç nënshkroi me Dinamon në prani të menaxherit Adrian Aliaj. Kroati është blerja e tretë zyrtare dimërore pas Elis Bakajt (ish-Partizani) dhe argjentinasit Ruben Oscar Ceco (ish-Bela Vista, Uruguai). Mario Antonio Romero, sulmuesi që do të testohet me kampionët në fuqi, tashmë ndodhet në Kemer të Turqisë, atje ku trajneri Zlatko Daliç po zhvillon përgatitoren me Dinamon. Ruben Oscar Çeko, argjentinasi tjetër i bluve, nuk ka asnjë pengesë për të luajtur me 17-herë kampionët. Sulmuesit i mbërriti kartoni, apo certifikata e transferimit ndërkombëtar. Çeko nënshkroi 1.5 vite kontratë me Dinamon.
Venger lë derën hapur për Arshavinin
Arsen Venger qëndron optimist në mbërritjen e rusit Arshavin nga Zenit i Sën Petërsburgut. Tekniku i Arsenalit deklaroi: “Nuk jemi ende pranë mbylljes së tratativave, por e dimë shumë mirë se çfarë duhet të japim për të mbajtur atë që dëshirojmë. Çështja është akoma duke e u trajtuar dhe unë jam shumë i bindur, por i nuk duhet të blejmë dikë me çdo kusht e kosto”.
Evertoni blen 17-vjeçarin
Klubi anglez i Premier Ligës, Evertoni, nënshkroi me një talent 17-vjeçar nigerian. Tekniku David Mojes bëri të vetin nigerianin Hope Apkin, i rritur po në akademinë e klubit.
16 Janar 2009