Reagon Këshilli i Europës: Ligji i dosjeve shkel standardet e demokracisë
Eljona Ballhysa
Këshilli i Europës ka reaguar dje për hyrjen në fuqi të ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Terri Devis, nëpërmjet një deklarate për shtyp, e ka cilësuar ligjin e dosjeve të miratuar vetëm nga PD-ja në Kuvend si një ligj që shkel standardet e demokracisë dhe që nuk zbaton rezolutën e KE-së për krimet e komunizmit. Por vetëm pak minuta pas deklaratës së Terri Devis ka reaguar kryeministri Berisha, i cili ka rrëzuar të gjitha argumentet kundërshtuese të përfaqësuesit të lartë të KE-së. Në fjalën e tij Berisha ka pranuar vetëm faktin që ligji kufizon disa të drejta të njeriut, por sipas tij, kjo procedurë është pranuar nga KE-ja kur është aplikuar në vende të Europës Lindore.
KE-ja
Në deklaratën e tij Devis ka theksuar së pari se e kupton përpjekjen e shqiptarëve për të vendosur në vend të vërtetën dhe për të dënuar ata që dhunuan të drejtat e njeriut gjatë periudhës komuniste. Por, sipas tij, çdo përpjekje e tillë duhet të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Europës për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. “Kundrejt këtij sfondi shpreh shqetësimin që ligji i lustracionit, i miratuar nga Parlamenti shqiptar më 22 dhjetor 2008, nuk i përmbush këto kritere. Analiza e ligjit nga ekspertët e Këshillit të Europës ka evidentuar disa probleme në lidhje me standardet e Këshillit të Europës. Këto përfshijnë: shtrirjen tepër të gjerë të ligjit përsa i përket kategorive të zyrtarëve që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë; paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit; rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor”, - është shprehur Devis. Sipas tij, në ligjin shqiptar vërehen disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me Rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare. Sipas Rezolutës, çdo masë individuale lustracioni nuk duhet të tejkalojë vitet dhe ky proces duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 1999. Devis ka shprehur kundërshtime edhe në lidhje me zbatimin e këtij ligji mbi kandidatët që marrin pjesë në procese zgjedhore. Në përfundim Devis theksoi gatishmërinë e KE-së për dhënien e ekspertizës autoriteteve shqiptare për të hartuar një ligj në përputhje të plotë me standardet e Këshillit të Europës.
Berisha
Kryeministri Berisha ka bërë një analizë të gjatë të deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, duke rrëzuar të gjitha argumentet kundërshtuese ndaj ligjit të dosjeve. Sipas Berishës, i vetmi aspekt i kritikueshëm i ligjit është kufizimi i të drejtave të njeriut. Por, sipas tij, ky është një kufizim i përkohshëm, i sanksionuar si legjitim nga dokumentet e Këshillit të Europës. Më pas Berisha theksoi se ndryshe nga sa është thënë në deklaratën e Devisit, ligji shqiptar ka një afat zbatimi prej 5 vitesh, duke qenë kështu në përputhje me rezolutën e KE-së. Edhe përsa i përket dy elementeve të tjera, si ndershmëria dhe proporcionaliteti, Berisha theksoi se janë respektuar në ligj. Ai bëri të ditur se individëve që janë pjesë e procesit të verifikimit u jepet e drejta ta ankimojnë vendimin në të gjitha shkallët e gjykatave të vendit. “Sekretari i Përgjithshëm, Terri Devis, ka të drejtë kur thotë se në ligj është vendosur verifikimi i kandidatëve për në zgjedhje. Por në moralin e kombit tonë, a do të ishin më shumë se 3 për qind e shqiptarëve që do të pranonin se presidenti, kryeministri, ministri, deputeti të kishin qenë bashkëpunëtorë dhe vartësit e tyre? Jo. Unë nuk besoj se do ta pranonte kush këtë”, - është shprehur Berisha.
I pyetur për dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla, Berisha tha se nuk ndërhyn në qëndrimet e askujt. “Dorëheqjet janë akte individuale, vetjake, që gjykohen nga gjithsecili dhe vendime që merrem mbi bazën e logjikës së atij që do të përballet. Ligji parashikon që ata që japin dorëheqjen, me dosjen e tyre nuk merret njeri. Kur të vijnë zgjedhjet, ata që kanë probleme nuk do të kandidojnë, vetvetishëm nuk besoj të kandidojnë, kështu që procesi kalon në mënyrë shumë të civilizuar”, - është shprehur kryeministri. Përsa i përket deklaratës së PS-së se do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, Berisha u shpreh se në këto kushte ligji nuk duhet të shqyrtohet nga anëtarët që kanë konflikt interesi, duke aluduar mbi papastërtinë e figurës së anëtarëve të kësaj gjykate. “Konflikti i interesit është një nga gjërat më sensitive sot. Ne nuk mund të imagjinojmë të paimagjinueshmen në këtë rast. Je në konflikt interesi, nuk mund të marrësh pjesë në vendimmarrje”, - është shprehur Berisha. Kryeministri komentoi dhe marrëdhëniet me presidentin Topi, duke i cilësuar ato institucionale.
17 Janar 2009