E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i Zgjedhjeve, sot diskutimi nen per nen i propozimeve PS

TIRANE- Komisioni parlamentar i ligjeve pritet të diskutojë sot nen për nen nismat ligjore të PS-së për transparencë të zgjedhjeve.

Një ditë më parë ky komisioni miratoi në parim me konsensus nismat e Partisë Socialiste për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 'Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit". Gjatë mbledhjes se sotme pritet që maxhoranca të paraqesë amendamentet e saj për draftin e PS-së, "për ta sjellë atë në përqasje me Kushtetutën". Kështu, PD pritet të kërkojë ndryshimin e nenit 4 të projektligjit, që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera, përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, kur për to ka një vendim gjykate.

Anëtari socialist në këtë Komision Fatmir Xhafaj theksoi dje se kërkesa e PS për kutitë nuk është antikushetuese por e bazuar në të. “Kushtetuta mbron iniciativën tonë”, tha Xhafaj. Sipas tij, zgjidhja e krizës është politike dhe se zvarritja e procesit do të ketë pasoja.
Edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko tha dje se "p/ligjin dhe komisionin hetimor duhet t'a konsiderojmë si një proces të krijimit të besimit të zgjedhjeve".

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali theksoi se shpreson ne gjetjen e një zgjidhje bazuar në Kushtetutë. Por sic tha ai, “jemi të bindur se do të arrijmë në një kompromis”, tha Rusmali duke shtuar se "njerëzit e mençur zgjidhjen e gjejnë në ligj dhe në Kushtetutë dhe jo në bojkot të institucioneve".

I dërguari special i kryetarit në detyrë të OSBE-së, Konstandin Zhigolov shprehu dje gatishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike nëse do t’i kërkohet, ndërsa përshëndeti gjithashtu edhe gatishmërinë e shprehur nga të dyja palët për të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar. “Rëndësi për Shqipërinë kanë dhe vazhdimi e zhvillimi i reformave politike, si ajo e reformës zgjedhore në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, - theksoi ai.

Situata politike në vend ka qenë në qendër të takimeve që zyrtari i OSBE-së, Konstandin Zhigolov ka zhvilluar dje me kryeministrin Berisha dhe me kreun e PS-së, Edi Rama.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›