E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Ende herët të flitet për erë të re Tiranë- Beograd

TIRANE-  “Një erë e re në marrëdhëniet me Tiranën? Është ende herët të flitet për këtë, edhe pse largimi nga politikat konfliktuale i shërben stabilitetit në Ballkan”. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë botuar sot ne “Gazeta Shqiptare” pak ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta në Beograd.

Ai e vlerëson këtë si një hap pozitiv, por thekson se Kosova pret shumë nga diplomacia shqiptare në lobimin për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera.

"Fillimi i normalizimit të marrëdhënieve me të gjitha shtetet, që e kanë njohur shtetin e Kosovës, në veçanti me Shqipërinë, dëshmon se Serbia e bëri hapin e parë para se ta njohë vetë këtë realitet. Ne i përshëndesim të gjitha sinjalet që vijnë në drejtim të uljes së tensioneve të raporteve ndërshtetërore në Ballkan, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të qetësohet kjo fuçi baruti. Në shërbim të kësaj e shohim edhe vizitën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Beograd. Kemi bindjen e fortë se diplomacia shqiptare do të vazhdojë me intensitet më të madh të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e botës."- deklaron Krasniqi ne interviste.

Deklarata e tij konfirmon reagimin e kujdesshëm të Prishtinës zyrtare ndaj vizitës së shefit të diplomacisë shqiptare në kryeqytetin serb.
Sipas Krasniqit, rivendosja e marrëdhënieve të Beogradit me vendet që e kanë njohur Kosovën, e sidomos me Shqipërinë, tregon se ndryshimi i qëndrimit ka nisur. Por, ai shton se ka ende shumë për të bërë.

"Kemi të bëjmë me shenjat e para të vetëdijesimit të Serbisë se me logjikën e vjetër nuk mund të imagjinohet ecja në epokën e re të globalizimit. Mendoj se është herët të thuhet se po fillon një erë e re mes Tiranës dhe Beogradit, ndonëse për popujt e Ballkanit është me interes shkëputja nga politikat konfliktuoze të së kaluarës, të dëbimit e të shfarosjes dhe ndërtimi  i politikave të reja të bashkëpunimit e të partneritetit reciprok. Kjo frymë e re politike, sigurisht do të sillte interesa edhe për Kosovën. Ne jemi për gjuhë të re, për frymë të re dhe për partneritet të ri me të gjithë popujt e Ballkanit."- vazhdon Kryetari i Kuvendit te Kosoves.

Lidhur me situatën aktuale në Kosovë, Krasniqi bën të ditur ne interviste se turbulencat politike e ndërlikojnë qeverisjen e shtetit më të ri në botë, por nuk e bëjnë atë jofunksionale. Sipas tij, rifreskimi i skenës politike duhet bërë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, pasi kjo është mënyra e vetme e përsosjes së demokracisë dhe qeverisjes.

Shefi i diplomacisë shqiptare, z. Ilir Meta vizitoi javën e kaluar Beogradin dhe Luginën e Preshevës. Ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar në kryeqytetin serb prej shumë vjetësh dhe e para që prej 97 vitesh në Preshevë.

Zoti Meta deklaroi dje pas kthimit nga vizita zyrtare në Serbi se çështja e Kosovës nuk është problem dypalësh Shqipëri-Serbi. Ai e ftoi publikisht presidentin Boris Tadiç për një vizitë në Tiranë.

Edhe Kryeministri i Kosovës,Hashim Thaçi, e ka cilësuar si pozitive vizitën e Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi. I pyetur nga një gazetar i televizionit lokal, TV Prizreni, rreth opinionit të tij Thaci vlerësoi se kjo vizitë paraqet një hap pozitiv për ndërtimin e raporteve fqinjësore dhe stabilitetin në rajon, që do të reflektohet në raportet Serbi-Kosovë.
Intervisten e plote marre nga Elira Canga mund ta lexoni ne numrin e sotem te "Gazeta Shqiptare"
(s.g/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›