Hetimi për Kuvendin, Braçe letër ambasadorit të OSBE-së

Një ditë pas dështimit të mbledhjes së Komisionit Hetimor për Kuvendin për shkak të mungesës së deputetëve të mazhorancës, kreu i këtij komisioni Erjon Braçe i është drejtuar me një letër ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth ku shpreh shqetësimin se puna e këtij institucioni po pengohet nga maxhoranca, e cila ka edhe shumicën.
Në krye të letrës Braçe i rerefohet objektit të komisionit dhe më tej sqaron se kryetarja e Kuvendit Topalli dhe administrata në shërbim të saj, nuk po lejojnë funksionin normal të tij.
"Për fat të keq, puna e këtij komisioni po pengohet në mënyrë të qëllimtë nga Kryetarja e Kuvendit dhe administrata në shërbim të saj. Për fat të keq, këtë javë pengesa administrative është zëvendësuar me një pengesë politike. Anëtarët e mazhorancës parlamentare në komision - pra shumica - ka njoftuar sekretarinë e komisionit se "nuk do të marrë pjesë deri në 8 Maj 2011 në punimet e komisionit", duke bllokuar kështu funksionimin e këtij komisioni për shkak të mungesës së kuorumit të domosdoshëm të përcaktuar në ligj" thekson Braçe.
Sipas Braçes, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një afat 4-mujor që po digjet nga deputetët e shumicës, pavarësisht së Kuvendi nuk ka marrë asnjë vendim për ndërprerjen e punës së tij, përkundrazi, sic thuhet në letër, është miratuar edhe një kalendar punimesh.
Ne fund Braçe thekson se karakteri i komisionit nuk është personal, por se u ngrit për të reflektuar një seri konstatimesh e vërejtjesh të Opinionit të Komisionit Europian në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, rreth funksionimit të Kuvendit.
Komisioni hetimor u propozua nga e majta dhe pritet të hetojë drejtimin dhe veprimtarinë e organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005-dhjetor 2010.