Hetimi për aktivitetin e ARMO-s, si gjunjëzohet shteti para TaçitNga Faktori PlusPara disa muajsh, emisioni “Faktori Plus” bëri një hetim të detajuar në lidhje me transparencën e kompanisë ARMO për aktivitetin e saj. Përfundimet janë të frikshme, por
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Hetimi për aktivitetin e ARMO-s, si gjunjëzohet shteti para TaçitNga Faktori PlusPara disa muajsh, emisioni “Faktori Plus” bëri një hetim të detajuar në lidhje me transparencën e kompanisë ARMO për aktivitetin e saj. Përfundimet janë të frikshme, por janë edhe një parapritë për atë çka po ndodh sot në këtë kompani, kur më në fund shteti ka vendosur që të bëjë punën, pasi e ka lejuar kompaninë e Taçit të abuzojë me dhjetëra miliona dollarë. Më poshtë vijon teksti i emisionit.
Kompania ARMO, tashmë pronë e biznesmenit Rezart Taçi, po fsheh blerjen e sasive të naftës nga “Albpetrol” dhe nuk po deklaron sipas ligjit sasitë dhe koston e furnizimit të saj duke shmangur kështu miliona euro detyrime fiskale ndaj shtetit. Edhe pse ajo ka pushtuar së bashku me “Taçi Oil” rreh 70 për qind të tregut të naftës në vend, asnjë institucion shtetëror, si Tatimet apo Autoriteti i Konkurrencës, nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për të pasur në datën 5 të çdo muaji statistikat për furnizimin e saj me naftë vendase. Praktikisht ajo po furnizohet si një kompani importi, pa pasur doganë.
“Faktori Plus” ka investiguar mënyrën se sa janë rritur të ardhurat nga akciza prej kompanisë ARMO, që kur ajo është privatizuar dhe konstaton se institucionet tatimore të vendit futen në panik, sapo u kërkon shifra.
Në një emision televiziv në Ora News, Sali Berisha, i zënë ngushtë për akuzat e dikurshme kundër Rezart Taçit, pronarit të sotëm të ARMO-s, u përpoq t’i ikte bisedës duke thënë: “Pyesni sa është rritur akciza”.
“Faktori Plus” u interesua për këtë çështje. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nuk të japin asnjë shifër dhe mbyllin derën me panik, sapo u kërkon një shifër të tillë.
Autoriteti i Konkurrencës po ashtu nuk jep shpjegime, pasi thotë: “E kam detyrë të ruaj konfidencialitetin.”
I vetmi institucion pak më serioz është INSTAT, i cili nuk të jep të dhëna, se thjesht nuk ka, pasi nuk i japin statistika, as tatimet, as ndonjë institucion tjetër. Burime të brendshme në INSTAT i thanë “Faktorit Plus” se ky institucion i ka dërguar tri letra Drejtorisë së Tatimeve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Faktori Plus” shkoi në Ballsh të interesohej si e merr tashmë naftën ARMO. Sipas traditës ajo furnizohet prej “Albpetrol”, e cila është ndërmarrje shtetërore, kurse ARMO tani është ndërmarrje private. Sipas të dhënave publike që faturon ARMO, duket se ka një rënie të madhe të furnizimit, ndërkohë që e vërteta është se ajo e ka rritur furnizimin nga “Albpetrol”. Skandali i madh, me sa duket, qëndron te fakti që rrjeti i ri korruptiv i krijuar mes ARMO-s dhe “Albpetrol”-it bën që të mos deklarohet sasia e naftës që furnizon ARMO-n dhe si rrjedhim mosdeklarimi i sasisë së naftës i krijon asaj epërsi fiskale në treg.
Siç dihet, si kompanitë që importojnë, dhe ato që prodhojnë naftë, duhet t’i paguajnë shtetit 37 lekë për litër akcizë dhe 20 për qind TVSH mbi çmimin e blerjes, si dhe një lek për litër taksë karboni.
Të gjitha këto prodhojnë një detyrim rreth 556 lekë për litër.
Për katër muajt e parë kjo kompani ka kapur rreth 70 për qind të tregut të shitjes së naftës në vend, pra ka një bum të rritjes dhe si rrjedhim duhet të kishte një rritje të akcizës, por në tatime nuk ka shifra për këtë.
Skandali me tatimet dhe Ministrinë e Financave qëndron se ato me këtë shitje ilegale të naftës nga ARMO mund të kenë krijuar një deficit rreth 30 milionë euro në arkën e shtetit për katër muajt e parë.
Nga ana tjetër, me këtë praktikë, Ministria e Ekonomisë dhe konkretisht ministri Genc Ruli ka shkelur vendim 52 të Këshillit të Ministrave, pika 5 e tij, ku thuhet:
5. ARMO sh. a. brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji duhet të raportojë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Autoritetit të Konkurrencës për:
i) sasinë e naftës bruto të blerë;
ii) sasinë e prodhimit të realizuar nga rafinimi;
iii) sasinë e tregtuar të produkteve të rafinimit;
iv) çmimet e blerjes dhe të shitjes, sipas kontratave të shitblerjes për këto produkte;
v) kushtet e tjera të tregtimit, gjatë muajit paraardhës.
Por kjo statistikë nuk ekziston asgjëkund dhe ky është skandali më i madh financiar që po ndodh tashmë pas privatizimit të ARMO-s, për të cilin dikush duhet të përgjigjet.
Përfituesi i këtij mega-korrupsioni, Rezart Taçi, është tashmë i preferuari i kryeministrit dhe familjes së tij. Ai është angazhuar haptazi në fushatë elektorale duke sponsorizuar aktivitete të tilla futbolli, siç ishte sjellja e Milanit në Tiranë për t’u shfaqur në krah të gruas së kryeministrit dhe për të frikësuar organet tatimore që të heshtin për këtë skandal. Vetë kryeministri e ka marrë përsipër tashmë si biznesmen të ndershëm duke mohuar ato që ka thënë.
Kaq e fortë është kapja e shtetit nga kjo kompani, sa vendimi 52 i Këshillit të Ministrave, datë 14 janar 2009, nuk po zbatohet me gjithë presionin e madh të opinionit publik që ai të jetë transparent.
Shihet qartë se në pikën 3 të këtij vendimi, kompanisë ARMO i është dhënë pozicion dominues monopol. Në pikën 4 po të këtij vendimi detyrohet që ajo të bëjë publike koston dhe çmimin e shitjes që gjithmonë do të varet nga kostoja dhe çmimi PLATTS në bursë.
Për të garantuar këtë vendimi i qeverisë e ka ngarkuar ministrinë e zotit Ruli dhe Autoritetin e Konkurrencës që jo më vonë se data 5 e muajit pasardhës të marrë nga kjo kompani sasinë e naftës bruto të blerë, sasinë e produkteve të prodhuara nga kjo naftë e blerë, sasinë e tregtuar të produkteve të rafinerisë, çmimin e blerjes, çmimin e shitjes, si dhe kushte të tjera të tregtimit.
Asnjë nga këto informacione nuk të jep më shteti shqiptar, çka do të thotë se këtë shtet e ka blerë Rezart Taçi.
Atëherë, në kushtet e mungesës së informacionit zyrtar, ne mund të llogarisim sasitë e dala në treg. Siç shihet qartë në dogana, importi i naftës ka rënë, që do të thotë se ARMO ka hedhur më shumë naftë në treg dhe po të llogarisim 30 mijë tonë që ARMO i ka pasur gjendje, plus sasitë e tjera të marra, ajo mund të ketë prodhuar një deficit prej 36 milionë eurosh në organet tatimore të shtetit shqiptar, borxh që shteti e fsheh, edhe pse ligji e detyron ta bëjë publik.
Por një ditë këto të dhëna duhet të bëhen zyrtare dhe ata që po favorizojnë këtë supervjedhje të shtetit do të dalin para ligjit.