E Diel, 1 Nëntor 2026

Rastet kur policia përdoret si vegël nga biznesmenët e FamiljesNga TemaNga rasti i Frangajt, që urdhëron policinë të arrestojë viktimat e agresionit të tij, te përdorimi i ndërtimorëve nga dhëndri i Berishës dhe te standardet dyfishe të policisë në r

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rastet kur policia përdoret si vegël nga biznesmenët e FamiljesNga Tema

Nga rasti i Frangajt, që urdhëron policinë të arrestojë viktimat e agresionit të tij, te përdorimi i ndërtimorëve nga dhëndri i Berishës dhe te standardet dyfishe të policisë në rastin e Kakomesë

Para disa kohësh “Faktori Plus” transmetoi pamje, ku pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj, urdhëronte policinë me telefon që të arrestonte njerëz. Bëhet fjalë për një përplasje të tij me pronarin dhe punonjësit e Ora News. Frangaj thërret në telefon policinë dhe kjo e fundit arreston punonjësin e Ora News, edhe pse ai ishte viktimë e sulmit të vëllezërve Frangaj. Vetëm para disa ditësh, sërish “Faktori Plus” solli fakte se si Frangaj urdhëronte Policinë Ndërtimore që të nisej natën për të shembur një antenë të televizionit Vizion Plus.

Gazeta “TemA” ka sjellë gjithashtu dosjen e plotë të përdorimit të Policisë Ndërtimore nga ana e dhëndrit të Berishës për të prishur ndërtimet në Jalë. Vetë autoritetet e Bankës Botërore kanë pranuar se policia ishte ndikuar në vendimet që kishte ndërmarrë nga emri i Jamarbër Malltezit, të shoqit të Argita Malltezit.

Sot botojmë pjesë nga intervista e kryetarit të komunës së Nivicës, Vladimir Kumi, dhënë për “Faktorin Plus”, ku rrëfen se si policia po përdoret nga biznesmenët që qëndrojnë pas ndërtimit në Kakome, që rezultoi të mos ketë asnjë lidhje me Club Med. Ndërtimi po bëhet nga biznesmenët e Familjes Berisha.

Po Policia e Shtetit çfarë qëndrimi ka mbajtur në këtë histori?

Policia e Shtetit ka qenë në dy lloj marrëdhëniesh. Komisariati i Sarandës ka mbajtur një qëndrim përgjithësisht korrekt, por Drejtoria e Policisë së qarkut të Vlorës me drejtorin e saj, Vehbi Bushati, ka qenë tërësisht e implikuar. Ka pasur raste që ajo ka ardhur dhe ka arrestuar policin e komunës në mes të natës.

Investitori është nga Vlora apo jo?

Investitori i “Rivierës”, po, është e vërtetë që është nga Vlora.

Mendoni që ka pasur një veprim klientelist të policisë së Vlorës në këtë rast?

Unë në mediat lokale të Sarandës kam ngritur një akuzë ndaj drejtorit të policisë së Vlorës, kam ngritur një akuzë publike për kryetarin e gjykatës së Sarandës, i cili muaj më parë më ka kërkuar mua të bashkëpunoj për t’i krijuar mundësinë kompanisë “Riviera” për të investuar në zonë, po kështu dhe kryeprokurori i Sarandës më ka kërkuar mua disa ditë më parë që të mos të mbështesim protestën e fshatarëve të mi për zonën. Unë shikoj një lidhje të tillë që kompania ka kapur nivele të tilla siç është Gjykata e Faktit, Gjykata e Apelit, Vlorë, dhe ka kapur prokurorinë e rrethit, si dhe totalisht Policinë e Shtetit. Dhe nga komunikimet e mia që kam pasur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përgjatë dy muajsh qëndrese civile të njerëzve të bregdetit në këtë zonë, kam pasur deklarime se nuk do të përzihet në këtë çështje, sepse kjo çështje është një çështje administrative që duhet të zgjidhet vetëm në rrugë ligjore. Por, për fatin e keq, në natën e 9 shkurtit apo në të gdhirë të datës dhjetë, Policia e Shtetit zbriti me qindra forca policore, autoblinda dhe arriti të pushtojë një territor të komunës. Unë e them me dhimbje, tamam pushtim. Dhe sot aty po bëhet një rrethim që një gazetare e famshme e “Financial Times” e konsideroi si një burg dhe jo si një territor të destinuar për qëllime turistike.

Pse ka ndërhyrë policia pa mbaruar procesi gjyqësor? Me çfarë motivi pra ka ndërhyrë policia në favor të biznesmenit?

Unë mendoj se çdo gjë është e paguar dhe për këtë është implikuar që më parë ministri i Turizmit, Ylli Pango, i cili është deklaruar dhe më parë se, “komuniteti i Nivicës këtu ka humbur pronësinë. Unë kam rrëmuar, - thotë ai, - në arkivat e shtetit dhe kam gjetur se niviciotët e kanë humbur të drejtën e pronësisë”.

Unë nuk e di se çfarë interesi paska një ministër të rrëmojë në arkivat e shtetit për çështje pronësie. Por edhe në rast se do të ishte e vërtetë kjo, ka institucione të tjera që merren më këtë gjë. Unë mendoj se zoti Pango është marrë me këtë gjë dhe më është krijuar bindja se zoti Pango është marrë personalisht me këtë gjë. Se deri ku shkon kjo, nuk di ta them, por kam bindjen se ka dhe një implikim qeveritar në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›