Kontrabanda masive duke përdorur autoritetin e kryeministritNga TemaGazeta “TemA”, që në momentin e shitjes së kompanisë shtetërore ARMO te Rezart Taçi, ka nisur një seri denoncimesh për atë që mund të jetë afera më e madhe korruptive e qeverisë Beri
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kontrabanda masive duke përdorur autoritetin e kryeministritNga TemaGazeta “TemA”, që në momentin e shitjes së kompanisë shtetërore ARMO te Rezart Taçi, ka nisur një seri denoncimesh për atë që mund të jetë afera më e madhe korruptive e qeverisë Berisha.
Njeriu i akuzuar nga Berisha si kontrabandist arriti të marrë kompaninë pa derdhur asnjë lek në arkën e shtetit, madje duke u hequr si investitor amerikan.
Në aferë u përzie Banka Credins, në pronësi të Familjes Berisha, por dhe Banka Qendrore.
Muajt e fundit gazeta “TemA” nisi një seri denoncimesh për kontrabandën masive që po bënte “Taçi Oil” duke futur naftë të deklaruar si të papërpunuar, por që në fakt është naftë e pastër, duke shmangur kështu miliona euro pagesa për shtetin.
Më poshtë vijon një kronologji e skandalit të kontrabandës me dijeninë dhe aprovimin e qeverisë.
“Taçi Oil” raporton naftën për solar, bllokohet anija
tema.al
24.06.2009
Kompania shqiptare e naftës, “Taçi Oil”, është përballur dje me zbulimin e trafikimit prej saj të naftës për solar, teksa një anije i është bllokuar në portin e Durrësit. Autoritetet shtetërore nuk dhanë asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë bllokim të anijes, e cila qëndronte në det e mbushur me naftë, ndërkohë që ngarkesa, si shumë herë të tjera, raportohej për solar. Në anën tjetër, të dhëna zyrtare bëjnë të ditur se kompania “Taçi Oil” ka futur në kolaps kompaninë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, pasi ka disa muaj që merr naftë nga kjo e fundit dhe nuk i ka dhënë paratë. Të dhënat thonë se detyrimi i “Taçi Oil” shkon në dhjetëra milionë dollarë.
Megjithatë, ajo që bie në sy është se këtë ndalim “Taçi Oil” përmes medieve pranë opozitës është munduar ta paraqesë si një presion politik nga mazhoranca, prej së cilës ka marrë shumë përfitime. Sipas tyre, është ministri Sokol Olldashi që po bën presion mbi Taçin.
Kështu, Taçi synon të luajë me dy porta, duke tentuar të ruajë situatën e tij, edhe nëse pushteti ndryshon.
53 mijë fuçi naftë të Rezart Taçi kontrabandë në Vlorë, vjedhja 7,6 milionë euro
tema.al
18.07.2009
Një anije me destinacion ARMO-n ka regjistruar një prej skandaleve më të mëdha të saj në lidhje me ligjet shqiptare duke tentuar të fusë në tregun vendas 53 mijë fuçi naftë të raportuar si naftë të papërpunuar krudo. Të dhënat tregojnë se anija “Athina”, e cila pret të shkarkohet në portin e Vlorës, në të vërtetë ka naftë të pastër dhe jo naftë krudo, siç deklarohet. Ky skandal që thyen njëherazi disa ligje të vendit, llogaritet të shkaktojë një dëm ekonomik prej më shumë se 7.6 milionë eurosh, vetëm për shkak të shmangies nga pagimi i taksave. Duke raportuar 53 mijë fuçi naftë të pastër për naftë krudo, kompania “Taçi Oil”, jo vetëm që fut në tregun vendas naftë, të cilën do ta shesë si naftë D2, por ajo i vjedh buxhetit të shtetit 7.6 milionë euro me anë të mospagimit të taksave. Legjislacioni ynë nuk lejon megjithatë që asnjë kompani në vend të importojë naftë dhe ta shesin atë në Shqipëri si naftë D2. Kompania “Taçi Oil” është e detyruar që të shesë e vetme në Shqipëri naftë D2, në bazë të ligjeve që u miratuan pas privatizimit të dyshimtë të kompanisë ARMO nga “Taçi Oil”. Naftën D2, që duhet të shesë në tregun vendas, kompania “Taçi Oil” duhet ta sigurojë nga nafta vendase krudo që merret nga “Albpetrol” dhe nga kompani të tjera vendase. Përpos të gjitha këtyre thyerjeve të ligjit me mijëra tonelata naftë që kërkon të kalojë kontrabandë nga porti i Vlorës me anë të anijes “Athina”, “Taçi Oil” kërkon të fusë në vend një ndotës po kaq të madh. Nafta, tregojnë të dhënat, ka një përqendrim të madh squfuri prej 1500 mg/kg, në një kohë që ligji ynë nuk lejon të futet në treg naftë me përqendrim squfuri më shumë se 350mg/kg.
Rezart Taçi, letër Berishës: Përjashtoni anijen time nga taksat
tema.al
22.07.2009
Skandali i anijes “Athina”, e cila kaloi mbi një javë që rri në portin e Vlorës, po thellohet përditë. Pas botimit në gazetën “TemA” të fakteve mbi përpjekjet e Rezart Taçit për të futur naftën kontrabandë, të quajtur si krudo oil, Rezart Taçi i drejtohet kryeministrit Berisha me një letër në datën 20 korrik, në të cilën deklaron se anija e tij është duke kryer procedurën doganore dhe ka të ngarkuar krudo oil. Për këtë arsye Rezart Taçi i kërkon Berishës që kjo ngarkesë të konsiderohet lëndë e parë dhe të përjashtohet nga taksat doganore.
Letra përmban numër protokolli 2007/092 dhe është dërguar në datën 20 korrik 2009.
Rezart Taçi i kërkon që kjo ngarkesë, pra nafta e papërpunuar e tij, të trajtohet sipas Kodit doganor 27101931, që është një nomenklaturë, e cila përjashton lëndët e para nga taksimi. Rezart Taçi kërkon që Berisha të injorojë faktin që ky është mall i akcizës dhe ta trajtojë si lëndë ndërtimi apo lëndë të tjera të para për industrinë.
Por skandali në të vërtetë nis me Genc Rulin. Letra e Rezart Taçit drejtuar Berishës për të shpëtuar nga taksat ngarkesën, bazohet në një letërkëmbim të tij me Genc Rulin më 10 korrik 2009, në të cilin Ruli i miraton atij praktikisht futjen e naftës krudo në vend duke e këshilluar që nga ajo të prodhohet vetëm gazoil. Letërkëmbimi i Rezart Taçit me Genc Rulin mban numër protokolli 5774, dt. 10.7.2009. Sipas Rulit, nga përpunimi i kësaj nafte bruto të importuar, duhet të prodhohet vetëm gazoil me Kod doganor përkatës.
Pra, e gjithë kjo tregon qartë se skema e futjes së naftës kontrabandë ka qenë e mirorganizuar nga bashkëpunimi i Genc Rulit me Rezart Taçin. Nga ky bashkërendim, shteti shqiptar humbet mbi 7 milionë euro dhe është çështje e Rulit dhe Taçit se si ndahen këto fitime.
Por me gjithë këto veprime tërësisht antiligjore, ata kanë përpara dhe një pengesë serioze. Fleta e analizave që shoqëron mallin me numër 7700-0072-09, e kryer nga laboratori “Intertek”, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me naftë krudo, por me naftë të përpunuar. Kjo fletë analize tregon se densiteti i ngarkesës është 082.2, çka dëshmon se nafta është e përpunuar. Ndërkohë, niveli i squfurit në të, sipas analizës që e shoqëron, është 012, ndërsa standardi ynë është 0035.
Analizat e bëra nga laboratori “Intertek”, që shoqërojnë mallin, tregojnë se nafta është ngarkuar nga terminali i Batumit në Gjeorgji, dhe është shkruar se është naftë krudo oil me destinacion ARMO-n në Ballsh.
Gazeta “TemA” ka siguruar tashmë dosjen e plotë të manifestit të ngarkesës së anijes dhe letërkëmbimin e ARMO-s me Berishën dhe Rulin.
Është interesant fakti se si Berisha do të shkelë ligjet që ka miratuar vetë duke futur në treg naftë krudo, ndërkohë që “Albpetrol” apo “Bankers” kanë gjendje rezervë nga nafta jonë, të cilën Rezart Taçi nuk e merr dot më, se ka rreth 50 milionë euro borxh tek ata.
Kushtetuesja: Antiligjor vendimi i qeverisë për t’i dhënë monopolin e naftës Rezart Taçit
Gjykata Kushtetuese e ka gjetur si antikushtetues vendimin e Këshillit të Ministrave që i jepte të drejtën ARMO-s dhe Rezart Taçit për të tregtuar i vetëm naftën D2. Vendimi nr. 52, datë 14.01.2009 “Për cilësinë e lëndës djegëse gazoil (Diesel), të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe të tregtuar për automjete rrugore e gjeneratorë” ishte ankimuar nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.
Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se vendimi i qeverisë kufizon liritë ekonomike, krijon një treg monopol.
“Gjykata konstaton se vendimi i kundërshtuar duke lejuar tregtimin e të njëjtit produkt me sasi të ndryshme squfuri, duke lejuar tregtimin e një produkti nga shoqëria ARMO, të ndaluar për operatorët e tjerë dhe duke iu imponuar subjekteve tregtare që janë anëtare të kërkuesit dhe që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të pajisura me “leje tregtimi të llojit A”, blerjen e produktit Diesel D2 pranë një operatori të vetëm, nëse duan që këtë produkt të vazhdojnë të shesin, krijon në treg një monopol në favor të shoqërisë ARMO sh. a., dhe për pasojë cenon lirinë e importimit dhe eksportimit të mallrave dhe shërbimeve, duke kufizuar kështu lirinë e tyre ekonomike”, - thuhet në vendimin e GJK.
Kushtetuesja është e mendimit se ka pasur shkelje edhe për sa i përket faktit se një vendim për kufizim lirie ekonomike mund të vendoset me ligj e jo me vendim qeverie.
Sipas Kushtetueses, vendimi i qeverisë bie në kundërshtim dhe me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Taçi: Do sjell Real Madridin që të luajnë me Gramozin e Ersekës
Kristiano Ronaldo e Kaka do të zbarkojnë në Shqipëri që të luajnë me ekipin e Ersekës. Është ky lajmi më i fundit që qarkullon në mediet pranë qeverisë, dhe që është nxjerrë nga Taçi për të mbuluar skandalin më të fundit të tij, që kësaj radhe po ndiqet shumë nga mediet dhe që nuk i shpëton dot të bërit publik. Gazeta “Panorama” dhe agjencia qeveritare ATSH bënin dje me dije se Real Madrid do të luajë me ekipin e Gramozit të Ersekës, president i të cilit është babai i Rezart Taçit.
Kështu ka ndodhur pothuajse rregullisht, kur në sfond shfaqeshin skandale për Taçin. Njëherë tentoi të blinte Bolonjën, më pas tha se do marrë në dorë Milanin, edhe pse presidenti i këtij klubi i kishte bërë me dije që nuk ka ndërmend ta shesë atë. Tani shfaqet sërish në skenë një tjetër manipulim, ai për Realin e Madridit. Megjithatë ka mundësi që kjo të jetë e vërtetë, pasi Taçi ka provuar se harxhon miliona dollarë për të sjellë ekipe të mëdhenj në Shqipëri, mjafton që ai të dalë përkrah me gruan e kryeministrit dhe që një dorë parash të shkojnë te fondacioni i saj.