Hetohet EULEX’i
Zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë kanë pranuar se një punonjës i lartë i tyre ka abuzuar pozitën e tij zyrtare.
Alexandra George, zëdhënëse e EULEX-it, ka thënë për Express se akuzat për abuzim të autoritetit dhe shkelje janë bërë kundër një anëtari ndërkombëtar të personelit të EULEX-it dhe se ato janë marrë seriozisht.
“Një hetim i brendshëm ka nisur dhe rezultatet priten shumë shpejt. Ne nuk mund të komentojnë specifikat e akuzave, sepse, në këtë fazë, ato janë vetëm akuza”, ka thënë George.
Sipas saj, EULEX e merr tepër seriozisht çdo akuzë për sjellje të keqe të personelit.
“Ne kemi hetuar raste në të kaluarën dhe nuk kemi hezituar të ndërmarrim veprime, kur është e nevojshme. Kjo mbetet politika jonë”, u shpreh George.
Por, zëdhënësja nuk e bën publik identitetin e personit që hetohet. “Duhet mbrojtur të drejtën e jetës private të të gjithë personave”, thekson ajo. “Do të doja të them përsëri se akuzat janë marrë shumë seriozisht dhe janë duke u trajtuar me shpejtësi dhe sipas procedurave korrekte të procesit të rregullt ligjor”.
George i bëri këto komente pas qarkullimit të një informacioni nëpër media, të shtunën, se brenda EULEX-it ka shpërthyer një skandal. Klan Kosova ka raportuar se një zyrtar i lartë administrativ i këtij misioni ka abuzuar vazhdimisht me stafin lokal që punonte me të dhe se ai, gjithashtu, i ka kërcënuar ata se do të pësojnë në rast të denoncimit. Për rastin është njoftuar edhe Brukseli. “Çështja tashmë ka mbërritur në Bruksel dhe po diskutohet atje. Kurse thuhet se personi i akuzuar ka ushtruar dhe ka pasur një pozitë të lartë në hierarkinë e misionit”, ka raportuar Klan Kosova. Ndërkohë, një ekip hetimor është ngritur brenda EULEX-it për të shqyrtuar çështjen, e cila është ndërlikuar edhe më tej, pas denoncimit të bërë nga personeli lokal.
Ndërkohë, po të shtunën, ish-ministri i Transportit, tash deputeti Fatmir Limaj, ka deklaruar se një institut evropian i pavarur është duke e hetuar EULEX-in. “Mund të them që ka ardhur një institut evropian ose një organizatë joqeveritare, institut i pavarur, i cili është duke bërë hulumtime, duke e hetuar EULEX-in dhe ka ardhur konkretisht me mua një kohë, për rreth 4-5 ditë”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, ata kanë kërkuar nga ai të jep mendime rreth misionit të EULEX-it. “Ata janë duke e hetuar punën e EULEX-it, sigurisht edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante në të dyja rastet”, ka deklaruar Limaj në një intervistë për Radion Europa e Lirë.
Ai ka theksuar se është shumë kureshtar ta dijë se a ka ndonjë komision Bashkimi Evropian brenda për brenda, për të kontrolluar mënyrën dhe punën se si e përmbush mandatin EULEX-i gjë që kjo tash e tutje, sipas tij, do të jetë aktuale. “Ky institut përmes avokatëve të mi do ta ngre këtë çështje për ta parë se çka po ndodh. Tani për tani asgjë nuk kam”, ka theksuar Limaj.
Nënkryetari i PDK-së ka thënë, po ashtu, se është abuzuar dhe po vazhdon të abuzohet shumë me atë fjalën e hershme “askush mbi ligjin”. Së pari, sipas tij, është abuzuar nga vetë ata që e kanë thënë dhe se janë dy-tri raste eklatante, të cilat janë abuzuar.
“Fatkeqësisht, ka njerëz në misionin për sundimin mbi ligjin që punojnë në Kosovë, që janë me mentalitetin e UNMIK-ut, ku bëjnë pjesë si personel i tyre dhe vazhdojnë ta shohin Kosovën jo si shtet i pavarur, por si protektorat i UNMIK-ut.
Tutorët vazhdojnë të shikojnë se ata mund të bëjnë çdo gjë dhe kur të duan dhe kjo fatkeqësisht po i kushton vendit tonë”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se kësaj fryme i ka ndihmuar edhe mënyra qeverisjes në vend – “mentaliteti jonë servil”.
“Kam frikë që këtu po tentohet të mbytet çdo zë i pavarur, po tentohet të mbytet çdo iniciativë që buron nga vendorët, që i shërben vendit”, është shprehur Limaj. Ai thotë se EULEX duhet të ndihmojë dhe të këshillojë, mirëpo është duke bërë të kundërtën në Kosovë.