E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtabi kishte paralajmëruar

Nga dokumentacioni i bërë publik dje, rezulton se kontrata e parë nuk mund të përmbushej nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi nuk disponohej sasia e duhur e fishekëve të tunxhit, e sërish kontrata Meico-SAC u lidh...

TIRANË - Tri ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit autorizimin për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, krerët e republikanëve bëjnë publikë dokumente, që sipas tyre fajësojnë Shtabin e Përgjithshëm, si një nga strukturat përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit. Mes disa dokumenteve të publikuar për këtë qëllim, dje u bë publike edhe një shkresë zyrtare që drejtori i Drejtorisë së Logjistikës, Kolonel Bardhyl Hoxha, i dërgon sekretarit të Përgjithshëm të ministrit të Mbrojtjes, z. Ardian Mullahi. Duke dashur të implikojnë shefin e Shtabit të Përgjithshëm si autoriteti që urdhëroi verifikimin e municioneve me gëzojë tunxhi, republikanët pa dashur kanë treguar se ish-sekretari i Përgjithshëm i ministrit të Mbrojtjes ishte në dijeni se në depot e ushtrisë shqiptare nuk ndodhej sasia e municioneve që kërkonte kompania amerikane. Një fakt i tillë i është komunikuar Ardian Mullait, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Mediut nga drejtori i Logjistikës në muajin shkurt të vitit 2007. Një gjë e tillë mesa duket, nuk është marrë parasysh, pasi 4 muaj më vonë, në qershor 2007, kur “Meico” nënshkruan me “SAC” një kontratë për demontimin e 140 milionë fishekëve, në një kohë që në depot e ushtrisë ndodhej vetëm gjysma e kësaj sasie. Në shkresën me lëndë “Informacion për verifikimin e disa lloj kalibrash municionesh me gëzhojë tunxhi, drejtori i Logjistikës duke iu referuar urdhrit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, që mban datën 22 janar 2007, me objekt “Për verifikimin e municioneve me gëzhojë tunxhi”, jep të dhënat për sasitë e këtyre lloj municioneve që janë gjetur në depot e ushtrisë. “Inspektimi filloi në datën 24 janar 2007 dhe përfundoi më datë 31 janar 2007”, - thotë Kolonel Bardhyl Hoxha, i cili jep dhe shifrat përkatëse dhe kalibrat e municioneve me gëzhojë tunxhi. Sipas shkresës, janë gjetur në depo 53 milionë e 93 mijë e 108 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 4 milionë e 264 mijë e 155 copë fishekë të kalibrit 12.7 mm, 3 milionë e 587 mijë e 566 copë fishekë të kalibrit 14.5 mm, si dhe 194 mijë e 265 copë fishekë të kalibrit 37 mm. Pra, në total shifra e municioneve me gëzhojë tunxhi, ashtu siç kërkoheshin nga kompania amerikane “SAC”, ishin 61 milionë e 139 mijë e 94 fishekë, pa llogaritur sasinë e depos së Qafë-Mollës, pasi në atë periudhë një kompani amerikane po punonte për asgjësimin e disa lëndëve kimike. Por, pavarësisht se sasia e municioneve që përputheshim me kërkesat e kompanisë amerikane ishin vetëm 61 milionë, ndërmarrja “Meico” nënshkruan më 6 qershor të vitit 2007 një kontratë me “SAC”, ku parashikohej demontimi i një sasie prej 140 milionë municionesh të kalibrave 7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm. Kush e urdhëroi ndërmarrjen shtetërore të lidhë një kontratë për demontimin e një sasie municionesh që depot e Ushtrisë Shqiptare nuk i dispononin? Sipas legjislacionit mbi të cilin funksionon kjo ndërmarrje, është Ministria e Mbrojtjes, ajo që ka në varësi direkte “Meico”-n, e cila në rastin e nënshkrimit të kontratës së parë ka respektuar vendimin nr. 138 të Këshillit të Ministrave, i cili u kthye në VKM në të njëjtën ditë që ish-ministri i Mbrojtjes paraqiti projektvendimin “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, datë 14 mars 2007. Pikërisht mosrealizimi i kontratës së parë, ku parashikohej demontimi i 140 milionë fishekëve me gëzhojë tunxhi, nxiti kompaninë amerikane të kërkonte vazhdimin e kontratës me fishekë të kalibrit të madh nga 20 deri në 152 mm, shpërthimi i të cilëve shkaktoi edhe tragjedinë e 15 marsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›