E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetuesi i Al Kaedës vjen për pastrimin e parave

TIRANE- Fenomeni i parave të pista tashmë njeh një trajnim ekspertësh në vendin tonë. Një grup prokurorësh më në krye spanjollin Gonzales Gomes de Lione kanë nisur kështu trajnimin e homologëve shqiptarë në fushën e pastrimit të parave. Projekti mësohet se do të zgjasë plot dy vite ndërkohë që në grupin e përzgjedhur për në vendin tonë gjendet edhe një emër fort i njohur në fushën e një krimi të tillë. Ai është spanjolli që mori përsipër të hetojë për vite me radhë pasurinë e organizatës terroriste më të famshme të botës Al Kaeda, ndërkohë që bashkë me grupin e punës që është instaluar në Prokurorinë e Përgjithshme do të japin asistencën e nevojshme homologëve shqiptarë për përmirësimin e teknikave të hetimit të këtij fenomeni kriminal. Pjesë e marrjes së kësaj asistence mësohet se përveç prokurorëve shqiptarë do të jenë edhe gjykatës, punonjës policie si dhe gazetarë, të cilët janë edhe përçuesit e punës së hetimit të "pastrimit të parave". Projekti është përcaktuar të zgjasë dy vite, ndërkohë që punës së këtij grupi do t`i shtohen edhe ekspertë të tjerë të përcaktuar për dhënie asistence. Grupi fillestar që ka nisur punën në vendin tonë përveç faktit që janë të njohur në fushën e tyre në të gjithë Europën mësohet se të njëjtin projekt ka zbatuar edhe në vendet në zhvillim siç janë Rumania dhe Bullgaria, ku ky fenomen është mjaft i përhapur.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›