Hickling: Paqartësia e taksave, pengon ardhjen e sipërmarrësve britanikë në Shqipëri
INTERVISTA Flet Stephen Hickling, zëvendësambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë
Zëvendësambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Stephen Hickling, në një intervistë për emisionin Elite Business në TV SCAN, flet për situatën ekonomike në Shqipëri. I pyetur se çfarë e pengon ardhjen e sipërmarrësve britanikë në Shqipëri, si problem kryesor ai paraqet paqartësinë e taksave.
Cila është rëndësia që kanë marrëveshjet ekonomike të firmosura gjatë javës mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe?
Jemi shumë të kënaqur me nënshkrimin e marrëveshjes. Ne mendojmë se ajo është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Shpresojmë se efekti që do të shikojmë të jetë rritja e investimeve dhe tregtisë midis dy vendeve dhe rritja e investimeve direkte nga Britania e Madhe në Shqipëri. Efekti te bizneset do të jetë që të shmangë taksimin e dyfishtë te të ardhurat dhe kapitali për kompanitë shqiptare që operojnë në Britani dhe për ato britanike që operojnë në Shqipëri .
Pra për kompanitë shqiptare nuk do të ketë taksim të dyfishtë në Shqipëri dhe Britani?
Po. Kjo është shumë e saktë.
Cili është vlerësimi juaj për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve? Cili është numri i kompanive britanike të vendosura në Shqipëri?
Eshtë e vështirë të japësh një numër të saktë të bizneseve që veprojnë në Shqipëri, sepse bizneset ikin dhe vijnë. Mendojmë se ka rreth 20 kompani britanike në tregun shqiptar. Lidhjet ekonomike janë të mira, por mund të ishin më të mira. Mund të përmendim kompani që operojnë në fushën e naftës dhe gazit, në telekomunikacion, në farmaceutikë, por dëshirojmë që të shikojmë më shumë. Ka patur një përmirësim dhe duam të shikojmë më shumë kompani britanike të hyjnë në Shqipëri, por nëse ato e shikojnë të arsyeshme. Besojmë se edhe marrëveshja për heqjen e taksimit të dyfishtë do të ndihmojë në këtë drejtim.
Përmendët disa nga sektorët ku veprojnë kompanitë britanike. Cilët vlerësoni si sektorët më të mundshëm që këto kompani të zgjerohen në të ardhmen?
Siç pëmenda ka investime në telekomunikacion, farmaceutikë, naftë dhe gaz. Gjithashtu një kompani e arkitekturës është duke punuar për zhvillimin e Tiranës. Mendoj se nafta dhe gazi do të jenë një fushë e rëndësishme në të ardhmen. Ka potenciale në këtë sektor për investime të huaja direkte të reja. Në rast se projekti i gazit TAP do të zgjidhet si korridori rrugor i gazit, kjo do të hapë shumë dyer të rëndësishme dhe investime transformuese. Nuk do të jenë vetëm kompanitë e naftës dhe gazit, por edhe kompanitë apo industritë që mbështesin këtë sektor dhe krijohet potenciali që të vijnë investime edhe në sektorë të tjerë.
A e mbështet qeveria britanike projektin TAP dhe a ka një garë reale mes TAP dhe Nabucco për transportimin e gazit nga Azerbajxhani?
Ka një konkurrencë reale mes të dy projekteve, por pozicioni i qeverisë britanike është që të mbetet neutrale në këto dy projekte. Konsorciumi që do të vendosë do të përcaktojë se cila është zgjedhja më e mirë midis të dy projekteve.
Cilat janë pengesat kryesore për sipërmarrësit britanikë për të ardhur në Shqipëri?
Do të doja të filloja me pjesët pozitive të të bërit biznes në Shqipëri. Ne shikojmë që Shqipëria ka një ekonomi të hapur të tregut dhe ky është një fillim i mirë dhe ka një forcë pune konkurruese, në dispozicion dhe me kosto relativisht të ulët. Që prej fillimit të krizës ekonomike, treguesit e Shqipërisë janë ruajtur pozitiv dhe niveli makroekonomik është ruajtur, por shqetësimet kryesore që dëgjoj nga investitorët dhe partnerët e Bashkimit Europian është se paqartësia e taksave është problem. Bizneset kanë nevojë për një situatë të qendrueshme të taksave dhe mjedis të qendrueshëm ku të planifikojnë biznesin e tyre. Ata kërkojnë një ndjekje të qartë dhe konsistente të rregullave.
Kur thoni këtë keni parasysh ndryshimet e shpeshta të ligjeve nga qeveria shqiptare apo diçka tjetër?
Mendoj se ndryshimet e shpeshta janë një faktor. Në bisedat e mia me biznesin kam dëgjuar si ankesë që, ajo çfarë ata i paguajnë autoriteteve e kalon kufirin 10 % të taksës që i detyrohen dhe kjo tregon që zbatimi i detyrimeve të taksave nuk është i qartë dhe nuk është ai që është në legjislacion. Eshtë gjithashtu problemi i kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Me sa di unë, disa kompani të Bashkimit Europian kanë si shqetësim që kompensimi i TVSH-së është i ngadalshëm, prandaj them që sërish ky është një moszbatim si duhet i rregullave dhe legjislacionit. Kjo na çon te çështja e qartësisë që presin bizneset. Di që problemi i kompensimit të TVSH-së po trajtohet, në bashkëpunim me asistencën e BE-së, por zgjidhja mbase nuk do të jetë e shpejtë. Gjithsesi ky mbetet një shqetësim për bizneset.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë së fundmi një tjetër paketë masash për ti bëë ballë krizës. A do të mjaftojë kjo paketë për ta shpëtuar Shqipërinë nga mosprekja prej krizës?
Kemi parë se që nga shpërthimi i krizës ekonomike në vitin 2008, rritja ekonomike e Shqipërisë ka vazhduar pozitive dhe prapë ka nevojë për stimuj ekonomikë. Ka një shqetësim në lidhje me nivelin e borxhit publik. Investitorët do ta shikojnë edhe këtë kur ata të gjykojnë stabilitetin afatgjatë të vendit. Stimujt mund të ndihmojnë, por shqetësimet në lidhje me nivelin e borxhit publik duhet të shqyrtohen.
Sa pengesë janë për investitorët e huaj çështje të tilla, si krimi, korrupsioni apo pronësia?
Kur investitorët britanikë shqyrtojnë mundësitë në Shqipëri pyesin për këto shqetësime. Natyrisht ata do të lexojnë për situatën, do të lexojnë problemet që ju përmendët dhe kjo do të kushtëzojë vendimet e tyre. Qartësia e kontratave dhe pronësia e tokës janë faktorë që investitorët potencialë do ti shqyrtojnë kur ata të marrin parasysh mundësinë e investimit në Shqipëri. Për shembull, një shqetësim është kur bankat nuk mund të zbatojnë problemet me kolateralin apo me kreditë e papaguara. Këto problem investitorët i shqyrtojnë kur ata shikojnë tregun shqiptar.
A është krimi një shqetësim për të investuar në Shqipëri?
Biznesi britanik tashmë duhet të respektojë Aktin Britanik kundër Rryshfetit. Eshtë një ligj i ri, i rreptë. Ky thotë se mosdija nuk është mbrojtje. Kjo ndikon direkt bizneset që duhet të marrin parasysh të gjithë nenet e këtij ligji, që janë shumë të rrepta. Bizneset britanike do të shikojnë këtë fushë dhe do ta studiojnë mirë.
A mund ta kopjojë edhe Shqipëria këtë Akt, apo jemi ende herët për ta kopjuar një gjë të tillë?
Ne ndajmë të njëjtat vizione dhe praktika me Shqipërinë në shumë fusha. Do të varej autoritetet shqiptare nëse do të gjykojnë se është koha e duhur për të adoptuar një ligj të tillë. Natyrisht ne mbetemi të gatshëm për të ndihmuar, nëse kërkohet .
Kompania çeke e shpërndarjes së energjisë elektrike është larguar nga Shqipëria për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë. A mund të ndikojë negativisht një shembull i tillë për investitorët e huaj?
Ambasada britanike e njeh rastin, sepse është pjesë e problemeve të fushës së energjisë elektrike në Shqipëri. CEZ ishte një investitor i madh në Shqipëri dhe jam i sigurt që investitorët e ndryshëm e kam parë dhe studiuar këtë rast dhe natyrisht e studiojnë kur do të marrin vendime. Ka rëndësi të thuhet se rasti i CEZ nuk ishte një çështje e thjeshtë. Ne jemi në dijeni se ka probleme specifike në sektorin energjetik në Shqipëri.
Shqipëria është një vend i vogël, ndërsa janë hedhur ide se ajo mund të shërbejë si një