Bizneset e huaja transferojnë jashtë Shqipërisë 264 mln euro
Bankat, kompanitë celulare apo koncesionarët sigurojnë fitime kolosale në Shqipëri. 2012-ta vit i vështirë, ulen fitimet për bizneset shqiptare, rriten për ato të huaja.
Bizneset që operojnë në Shqipëri kanë fituar më pak gjatë vitit 2012, situatë që flet për një vit të vështirë financiarisht dhe për prezencë të krizës ekonomike. Megjithatë kjo për sa i përket kompanive vendase, pasi bizneset e huaja kanë pasur fitime kolosale, aq sa kanë transferuar miliona euro jashtë Shqipërisë.
Ulen fitimet
Referuar statistikave të Ministrisë së Financave, fitimet vjetore të ndërmarrjeve u tkurrën me 14.5 për qind, e konsideruar kjo një nga rëniet më të mëdha historike.
Rënia e shitjeve dhe ngadalësimi i ekonomisë në tërësi, janë arsyet e përkeqësimit të treguesve financiarë të kompanive. Megjithatë nuk mund të thuhet se të gjitha bizneset janë prekur nga kjo tendencë. Ndryshe nga ato shqiptare, për ndërmarrjet e huaja që bëjnë biznes në Shqipëri 2012-a nuk ka qenë aspak vit i keq, përkundrazi.
Bizneset e huaja
Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet dhe dividentët që bizneset e huaja transferuan jashtë vitin e kaluar u rritën me mbi 40 për qind duke arritur në 264.3 milionë euro. Shumica e tyre janë në sektorët më fitimprurës, si industria bankare dhe telekomunikacionet, ndërsa të tjerë operojnë kryesisht në tregje monopol përmes privatizimeve apo koncesioneve. Sërish kjo shifër përmban vetëm fitimet e transferuara në vendet e origjinës, pa përfshirë pjesën që këto kompani kanë ri investuar për të zgjeruar biznesin e tyre në Shqipëri.
Transferimi i fitimeve
Në vitin 2007, gjithë fitimi që bizneset e huaja transferuan ishte vetëm 56.5 milionë euro. Një vit më vonë shifra u rrit me 5 herë. Kursi i këmbimit filloi të lëkundej dhe brenda pak kohësh për shkak edhe të krizës leku u zhvlerësua me mbi 15 për qind ndaj euros. Që pas 2008-ës fitimet e nxjerra jashtë kanë qëndruar në rendin e 2.5 deri në 4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Rekordi historik është ai i vitit 2009, ku shifra arriti plot 400 milionë euro. Një vit më vonë Qeveria u detyrua të dilte në tregun ndërkombëtar, për të marrë borxh tregtar në euro dhe një nga arsyet e këtij vendimi ishte pikërisht mungesa e valutës në ekonomi.
Shkaqet
Ekspertët thonë se ka dy arsye kryesore se pse fitimet e dala jashtë janë rritur fort katër vitet e fundit. Së pari një pjesë e investimeve të huaja që janë realizuar vitet e mëparshme janë në fazën e vjeljes së fitimeve. Ndërsa arsyeja e dytë lidhet me situatën ekonomike, ku për shkak të rënies së fuqisë blerëse, bizneset janë më shumë të prirura të mbajnë fitime se sa të investojnë.
264
milionë euro kanë transferuar jashtë vendit bizneset e huaja që operojnë në Shqipëri përgjatë vitit 2012. Bizneset shqiptare patën rënie të fitimeve.
14.5 %
u ulën fitimet e kompanive shqiptare përgjatë vitit 2012. Rënia e shitjeve dhe ngadalësimi i ekonomisë solli këtë situatë.
56.5
milionë euro ishte fitimi që bizneset e huaja transferuan jashtë vendit në vitin 2007, por një vit më vonë shifra u rrit me 5 herë
400
milionë euro ishte fitimi që kompanitë e huaja transferuan jashtë Shqipërisë në vitin 2009, duke shënuar edhe rekordi historik të këtij fenomeni të ri për vendin tonë.