E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhen hapat e parë të platformës anti-Rama

07/08/2009  Kundërshtarët e kryetari të PS-së synojnë krijimin e lobit në kongres

Përfaqësuesit e këtij grupimi do të zhvillojnë takime me delegatët

Kundërshtarët e kryetarit socialist Edi Rama intensifikojnë veprimet e tyre për të bërë të mundur mosrikandidimin e tij të fundit për këtë post. Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka detyruar vënien në lëvizje të grupimeve brenda kampit rozë me qëllim parapërgatitjen e strategjive që do të ndjekë secili prej tyre në punimet e këtij forumi. Tashmë grupimet janë të pozicionuara qartazi kundër dhe në mbështetje të kryetarit aktual Edi Rama. Më aktiv në parapërgatitjet e tyre janë shfaqur pikërisht përfaqësuesit e grupimit të parë. Kjo u vu re dhe gjatë ditës së djeshme, kur një pjesë e mirë e tyre u mblodhën për të paracaktuar detyrat gjatë këtyre ditëve deri në mbledhjen e kongresit të jashtëzakonshëm, i cili është thirrur më 29 gusht. Në këtë mënyrë, kundërshtarët e kreut socialist Edi Rama paraprakisht po punojnë për hartimin e një platforme të qartë, mbi të cilën do të përqendrohen në ditën kur forumi më i lartë vendimmarrës do të zhvillojë mbledhje e lajmëruar. Thelbësor është fakti që ky grupim kërkon në mënyrë të vendosur moskandidmin e Ramës, e pikërisht këtu është fokusuar e gjithë platforma. Për këtë arsye grupi anti-Rama, i kryesuar tashmë nga deputeti Ben Blushi, anëtar i kryesisë së PS-së, u mblodhën dje në selinë e Kryesisë së Kuvendit për të diskutuar dhe vendosur mbi ecurinë dhe zhvillimet e mëtejshme me bazën socialiste në prag të kongresit të jashtëzakonshëm. Në këtë takim, i cili mësohet të jetë zhvilluar në zyrën e nënkryetarit të Parlamentit Ylli Bufi, ishin të pranishëm Ben Blushi, anëtarja e kryesisë Sajmira Pinaj, Edlira Haxhiymeri, Anastas Angjeli, Eva Allushi, Rrapush Tola. Por ndalur konkretisht në arsyet e thirrjes së këtij takimi, burime pranë tij bënë me dije se kryeçështje ishte diskutimi dhe ndarja e zonave, në të cilat do zhvillohen takimet dhe bisedat me delegatët në funksion të kongresit të 29 gushtit. Mësohet se përfaqësuesit e këtij grupimi kanë vendosur të zhvillojnë takime intensive dhe diskutime me të gjithë delegatët, në mënyrë që në kongres të ketë një numër të madh përfaqësuesish që do të kërkojnë moskandidimin e Edi Ramës. Por krahas kësaj, kundërshtarët e Ramës, duke synuar të krijojnë lobin e tyre në këtë kongres, do të kërkojnë gjithashtu që në axhendën e punimeve të kësaj mbledhjeje të shtohet edhe një tjetër pikë: ajo e diskutimeve mbi arsyet pse kreu aktual nuk mund të shpallë kandidaturën e tij për të rikandiduar për një post të tillë. Por mësohet se pikërisht në varësi të zhvillimeve të diskutimeve e më pas të vendimit që mund të merret mbi një kërkesë të tillë varet dhe qëndrimi i dy kandidaturave në garën për postin e kryetarit, ku njëri është bërë publik, konkretisht deputeti Arben Malaj, dhe tjetri ende jo publik, ai i deputetit Ben Blushi. Kështu, nëse Kongresi do të pranojë që të shtohet një pikë e tillë për diskutim dhe kjo të rezultojë pozitive, pra që të jetë ky forum ai që të vendosë që Rama të moskandidojë, atëherë do t’i kishim në garë këta dy konkurrentë, në të kundërt mbetet për t’u parë cili do të jetë qëndrimi i tyre, pasi mund të kemi një tërheqje nga gara. Po kështu në platformën e tyre kundërshtarët e Ramës synojnë të përfshijnë edhe një kërkesë për ndryshime statutore lidhur me kompetencat e kryetarit të Partisë Socialiste. Madje, në këtë pikë pritet që përfaqësuesit e këtij grupimi të hartojnë një paketë të posaçme për t’ia deleguar kongresit të 29 gushtit, me qëllim realizimin e synimit të tyre për të penguar rikandidimin e kryetarit Rama. Ndërkohë bëhet e ditur se në këtë takim ka munguar Arben Malaj, i cili prej ditësh ka shpallur kandidaturën, njëkohësisht dhe platformën e tij për kryetar të Partisë Socialiste.

Debatet

Kongresi i jashtëzakonshëm pritet të thellojë më tej përplasjet brenda kampit rozë. Kjo për vetë faktin se tashmë kundërvënia mes dy grupimeve të krijuara në Partinë Socialiste, por dhe kundër kreut socialist, është përqendruar më së shumti në qëndrimin e kryetarit të kësaj partie Edi Rama për të rikandiduar për këtë post, garë kjo që do të hapet në kongresin e jashtëzakonshëm të thirrur më 29 gusht.

Përgatitje

Grupi anti-Rama është më përpara deri dikur në përgatitjet e tij për kongresin e 29 gushtit. Si kundërshtarët e Ramës, ashtu dhe mbështetësit e tij e kanë përqendruar punën e tyre në hartimin e platformave të qarta mbi zhvillimin e punimeve të këtij forumi. Por mbështetësit e linjës zyrtare e kanë të qartë deri diku axhendën në të cilën do të përqendrohet ky kongres, megjithatë pas kthimit nga pushimet pritet hartimi përfundimtar i saj.

Replikat mes PD-së dhe PS-së

Përfaqësuesit politikë në sulme personale

Prej ditësh përfaqësuesit e dy partive kryesore në vend kanë vijuar akuzat dhe kundërakuzat mes tyre mbi pasuritë e drejtuesve të PD-së dhe PS-së. Por së fundi deklaratat e ardhura nga selitë përkatëse kanë kaluar në sulme personale mes përfaqësuesve politikë të kampit blu dhe atij rozë, konkretisht mes zëdhënëses së PD-së Erla Mëhilli dhe socialistes Elisa Spiropali. “Reagimet vulgare të pushtetit ndaj ngritjes së zërit tonë për pasurimin marramendës të familjes kryeministrore janë tregues i nivelit mizerabël ku ka rënë ky pushtet i korruptuar, që po degjeneron gjithçka, deri edhe gjuhën e folur në publik! Akuzat vulgare nuk janë përgjigje. Sali Berisha duhet të përgjigjet si dhe pse ndodhi që fëmijët e tij u pasuruan falë pushtetit të tij dhe pse fëmijët e njerëzve pa pushtet nuk mund të kenë fatin e fëmijëve të tij. Sali Berisha duhet të përgjigjet, jo të abuzojë me një bashkëmoshataren time, që e nxjerr para publikut duke e detyruar të flasë me një shqipe rrugaçërore”, - u shpreh dje Spiropali gjatë deklaratës së saj për shtyp. Po në këtë linjë, ajo shtoi se “Sali Berisha duhet të më tregojë mua dhe gjeneratës sime pse në Shqipërinë e sunduar prej tij duhet të pasurohen vetëm vajza e djali i tij, ndërsa të tjerët duhet të luftojnë jo për t’u bërë të pasur, por thjesht për të mbijetuar. Përgjigju, o sulltan komunist, që noton më këmbë dhe ecën mbi kurrizin e njerëzve!” Menjëherë pas një deklarate të tillë ka ardhur dhe reagimi i zëdhënëses së PD-së, e cila nuk ka kursyer akuzat në emër të PD-së për kundërshtarin e tij politik. “Sot Edi Rama, njeriu që nuk u përgjigj kurrë për 30 lejet e ndërtimit të dhëna Delijorgjit dhe për qytezën që po ndërton me të, për 70% të lejeve të ndërtimit të dhëna studiove të Shkrelit dhe Eftimit, për përqindjet që zotëron në kullën që po ndërton Fideli apo në ato që po ndërton Dashi i tij dhe fitimet marramendëse që ndan me ta, ndërmori sot sulmin e radhës ndaj familjes së Kryeministrit. Për këtë qëllim ai sot u shërbye nga një 99-she e keqpërdorur e ‘Mjaftit’, e cila detyrohet të këndojë shpifjet dhe trillimet e kryetarit pa mandat të Partisë Socialiste, për shkakun e vetëm se me 0,99-shin tjetër ka ndërtuar vilat, duke vjedhur paratë e ‘Mjaftit’. Është rasti t’i themi zotit Rama se sulmet e tua të ulëta ndaj Kryeministrit dhe familjes së tij veçse e nderojnë dhe e lartësojnë atë gjithnjë e më shumë në sytë e shqiptarëve dhe nxjerrin në pah zvetënimin e vlerave të tua morale”, - deklaroi Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›