E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja ngre grup pune për nënkryetarët e gjykatave

07/08/2009  Një vit më parë u hoqën nënkryetarët si hallkë e tepërt

TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rikthehet edhe një herë temës së nënkryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore. E parë si domosdoshmëri jo për të gjitha rrethet, por vetëm për gjykatat më të mëdha në vend, kërkesa për t’i rikthyer sërish në detyrë nënkryetarët ka ardhur nga ministri i Drejtësisë Enkejled Alibeaj. Sipas të dhënave të marra nga KLD-ja, një kërkesë e tillë është bërë për të lehtësuar peshën që kanë kryetarët në gjykatat më të mëdha në vend, si ajo e Tiranës dhe e Durrësit, por dhe për të balancuar detyrën që ka aktualisht kancelari i këtyre gjykatave. Kërkesa për të rishikuar vendin e nënkryetarit ka ardhur pikësëpari për gjykatën e Tiranës, aty ku puna dhe numri i gjyqtarëve është më i madh. Por nuk do përjashtohen edhe gjykata të tjera, të cilat do të vlerësohen me kapacitete të mëdha. Për të arritur në një përfundim sa më të drejtë, KLD-ja ka ngritur një grup pune. Ky grup pune, i përbërë nga anëtarët Altina Xhoxhaj, gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, seksioni civil; Dhurata Haveri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë; Neshat Fana, avokat, kanë marrë përsipër të shqyrtojnë situatën dhe të përgatitin një relacion përkatës. Burime pranë KLD-së theksojnë se deri tani grupi i punës ka arritur të marrë mendime nga krerët e gjykatave për të cilat është menduar të vendosen nënkryetarët dhe nga gjyqtarët e këtyre gjykatave si dhe kancelarët. Një nga pikat ku do të bjerë më shumë diskutimi është detyra që do të kenë këta nënkryetarë pasi të jenë caktuar, si dhe statusi i tyre. Por nuk është vetëm kjo. Dihet se puna e kryetarit tashmë është e përcaktuar qartë, edhe ajo e kancelarit me ligjin e ri të nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë është e përcaktuar. Grupi i punës duhet të përcaktojë qartë dhe me detaje punën e nënkryetarëve si dhe të shtrojë për diskutim rrogën e tyre. Për gjykatën e Tiranës, e cila tashmë është e ndarë në dy seksione, atë penal dhe atë civil, mendohet të jenë dy nënkryetarë. Një skemë e tillë ka qenë vendosur edhe para se të hiqeshin me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu grupi i punës ka marrë mendime të shumta edhe në gjykatën e Durrësit dhe atë të Elbasanit, ku mendohet se do të vendosen nënkryetarët. Me gjithë diskutimet e bëra, deri tani nuk është dorëzuar asnjë relacion. Tre anëtarëve të KLD-së u është lënë afat për përgatitjen e tij deri në fund të muajit shtator. Burime nga KLD-ja bëjnë ët ditur se në mbledhjen e radhës do të diskutohet për vendosjen e nënkryetarëve në gjykatat më të madha, pasi të jetë marrë relacioni në favor të tyre. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi bënë heqjen e nënkryetarëve në të gjitha gjykatat, një vit më pas merr sërish kërkesën për vendosjen e tyre. Nga ana e Shoqatës së Gjyqtarëve disa herë janë bërë përpjekje për të reduktuar detyrat e kancelarit, të cilit ligji i ri i ka dhënë shumë të drejta. Sipas gjyqtarëve, një pjesë e të drejtave të kancelarit, që lidhen pikërisht me hedhjen e shortit, i takojnë nënkryetarit. Pas vendosjes së kancelarëve dhe marrjes së disa kompetencave prej tij, kryetarët kanë rënë në heshtje. Tashmë kryetarët merren vetëm me zbatimin e ligjit nga ana e gjyqtarëve, shqyrtimin e ankesave që vijnë nga qytetarë të ndryshëm dhe diskutimin më pas në mbledhjen e radhës. Ndërkohë që të gjitha ndryshimet pritet të kryhen në muajin shtator, periudhë kjo kur edhe njerëzit e drejtësisë përfundojnë plotësisht pushimet verore. Reforma do të ngjallë tepër polemika, pasi një vit më parë vetë ministri i drejtësisë ka propozuar që të hiqem nënkryetarët e gjykatave.

Tre anëtarët e KLD-së

Altina Xhoxhaj, Dhurata Haveri dhe Neshat Fana janë tre anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që në mbledhjen e datës 8 korrik 2009 kanë marr si detyrë të shqyrtojnë situatën në disa prej gjykatave të rretheve gjyqësore, që kanë numër të madh gjyqtarësh dhe kanë nevojë për caktimin e nënkryetarëve. Tre anëtarëve u është lënë afat për përgatitjen e këtij relacioni, i cili, sipas të dhënave, do të jetë në favor të nënkryetarëve të ardhshëm.

Heqja e nënkryetarëve

Gati një vit më parë, me propozim të ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, u pa e arsyeshme heqja e nënkryetarëve në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore të vendit. Nënkryetari kishte detyrë të ndarë nga kryetari. Ai jo vetëm bënte zëvendësimin e kryetarit në rastet kur ishte me shërbim, por bënte edhe mbikëqyrjen e hedhjes së shortit. Kjo detyrë tashmë ka arritur në duart e kancelarit, për të cilin gjyqtarët shprehen se ka shumë kompetenca.

Gjykatat e mëdha

Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë deri para një viti kishte dy nënkryetarë. Të dy janë vendosur me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por pas vendosjes fati i tyre në detyrë ishte tepër i shkurtër. Ministri i Drejtësisë urdhëroi shkurtimin e këtyre vendeve të punës, duke i lënë gjyqtarë të thjeshtë. Në gjykatën e Tiranë kanë qenë nënkryetarë Petrit Çomo dhe Artur Gaxhi. Që të dy kishin detyra të ndara dhe të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›