OKB nuk mund të ndalë Planin për Veriun
(E plotësuar) Me kërkesën e Serbisë dhe të Federatës Ruse sot mblidhet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, për të shqyrtuar situatën në Kosovës pas vendimit të Qeverisë që bashkërisht me EULEX’in dhe KFOR’in t’i funksionalizojë doganat në veri.
Pajtimi për të mbajtur këtë seancë është arritur në një mbledhje të mbajtur mbrëmë në New York.
Ambasadorët kanë vendosur që sesioni i sotshëm të mbahet gati plotësisht me dyer të mbyllura. Nga OKB është njoftuar që vetëm një përfaqësues i saj do të flasë në pjesën e hapur të takimit, ndërkaq pjesëmarrësit tjerë do t’i shprehim qëndrimet e tyre prapa dyerve të mbyllura.
Me urgjencë, drejtë New Yorkut ka udhëtuar Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili në kohën kur është marrë vendimi për mbajtjen e seancës ka qenë në Egjipt.
Atje tashmë ndodhet edhe homologu i tij serb, Vuk Jeremic.
Duke marrë parasysh ndarjen e thellë që ekziston mes shteteve perëndimore dhe Rusisë, nuk ka të ngjarë që Këshilli i Sigurimit të marrë ndonjë vendim që ndalon planin për zbarkim të policëve dhe doganierëve në Veri, plan ky që do të jetësohet nesër, më 16 Shtator.
Ndryshe, Serbia dhe Rusia kishin insistuar që kjo mbledhje të mbahet sot ose më së largu të premten.
Presion nga New Yorku
Serbia dhe aleatët e saj po bëjnë përpjekje që nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të ndalin planin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në pikat doganore në Veri. Burime të Express kanë thënë se të mërkurën në mbrëmje Këshilli ka mbajtur konsultime rreth një letre të Serbisë. Ndërkaq, Rusia pritet të kërkojë që seanca e jashtzakonshme për Kosovën të mbahet të premten.
Serbia ka trokitur edhe në dyert e Këshillit të Sigurimit të OKB’së me shpresë se aty mund të ndal planin e Qeverisë së Kosovës, që bashkë më EULEX’in dhe KFOR’in të vendosin kontrollin doganor në Bërnjak dhe Jarinje.
Burime ndërkombetare të Express kanë thënë se të merkuren në mbrëmje, në New York, Këshilli i Sigurimit është ftuar të mnbajë konsultime me dyer të mbyllura, ku në agjendë ka qenë letra e Serbisë, e dërguar këtë javë, me të cilën ajo kërkon nga KS i OKB’së që të ndal “përpjekjet e Prishtinës që me dhunë të marrë Veriun”.
Express mëson se në orët e vona të mbremjes, Rusia ka parashtruar kërkesën për mbajtje të një sesioni emergjent të Këshillit të Sigurimit rreth çështjes së Veriut të Kosovës dhe veprimeve të përbashkëta të EULEX’it dhe Qeverisë së Kosovës për kthimin e doganierëve në kufi. Nëse aprovohet kërkesa e Rusisë, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, atëherë pritet që mbledhja të mbahet jo më vonë se të premten.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremic është tashmë në New York, ndërsa edhe ministri kosovar Enver Hoxhaj është nisur me emergjencë për paraqitje eventuale, nëse aprovohet mbajtja e takimit.
Nëse vendoset që mbledhja të mbahet, ajo do të jetë e katërta e Këshillit të Sigurimit dedikuar Kosovës këtë vit, pa e përfshirë tentativën e abortuar të Serbisë për të diskutuar veprimet e ROSU’së në korrik. Një javë pas veprimeve të ROSU’së Serbia, po ashtu, tentoi të organizojë një mbledhje nëpërmjet Rusisë, por asokohe nuk kishte fare simpati për këtë propozim nga anëtarët e tjerë të Këshillit dhe Jeremic as nuk u lejua të jetë fizikisht prezent në sallën e Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua Kosova prapa dyerve të mbyllura. Burimet në New York thonë se kësaj radhe, për shkak të insistimit rus, mbledhja ka gjasë të mbahet.