Hidhet shorti për padinë e Aneta Ramës

Gjykata e Lartë ka hedhur shortin për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në këtë gjykatë nga nëna e kreut të opozitës Edi Rama Aneta Rama në ngarkim të kryeministrit Sali Berisha. Pas hedhjes së shortit me gogla, midis të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas proçedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga Evjeni Sinoimeri, si relatore e çështjes, Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi çeliku dhe Irma Bala.
Kryeministri i vendit Sali Berisha është paditur kohë më parë në Gjykatën e Lartë për shpifje të kryer publikisht në dëm të zonjës Aneta Rames, nënës së kryesocialistit Edi Rama. Zonja Aneta Rama ka depozituar përmes avokatëve të saj një padi në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar procedimin e kryeministrit dhe dëmshpërblimin ndaj cënimit të dinjitetit të saj.