Hidink: Në vitin 2010 largohem nga futbolli
Trajneri i ri i Çelsit, Gus Hidink, pohoi se ka planifikuar të largohet nga futbolli pas Kupës së Botës 2010 që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Holandezi, i cili do të qëndrojë në "Stemford Brixh" deri në fund të këtij sezoni dhe njëkohësisht do të vazhdojë punën me Kombëtaren ruse, cilësohet si një prej teknikëve më të mirë në qarkullim. Pavarësisht respektit dhe vlerësimit që gëzon në ambientet e sportit më popullor në botë, për "Sunday Mirror", ai deklaroi se do t‘u përkushtohet veprave bamirëse. Hidink tha: "Mendoj se do të tërhiqem nga futbolli në verën e vitit 2010, menjëherë pas Botërorit 2010. Pasi të shkëputem do të bëj xhiro me motorin tim ‘Harley-Davidson‘ dhe do të jem më aktiv në rolin si ambasador i ‘Nike‘. Privatisht, do të kujdesem edhe për një projekt për të ndihmuar njerëzit e varfër në Tanzani. Kjo është një iniciativë që sapo e kam filluar. Është mjaft modeste, por ka shumë vlerë për mua. Këto janë gjërat me të cilat do të merrem nga 2010-a në vazhdim". Hidink ndoqi nga tribuna fitoren 3-1 që Çelsi arriti në FA Cup kundër Uatfordit, ndërsa në fundjavën e ardhshme pritet të debutojë në stolin e Çelsit, në sfidën me Aston Vilën. Trajneri nuk përjashtoi mundësinë se mund të qëndrojë më shumë se disa muaj në "Stemford Brixh", në rast se aventura e tij rezulton e suksesshme. "Asnjëherë nuk mund ta dish me siguri se çfarë do të ndodhë. Sipas marrëveshjes, në fund të sezonit do t‘i përkushtohem totalisht vetëm përfaqësueses ruse. Gjithsesi, nuk më pëlqen të flas shumë për atë që mund të ndodhë pas këtij edicioni. Ekzistojnë disa mundësi, por më parë duhet të shohim rezultatet e punës time me Çelsin", përfundoi Gus Hidink.