“Hidrodrini” nuk ka mundësi t`i paguajë obligimet e vjetra ndaj KEK-ut

Ka tri javë që zyrtarët e kompanisë publike “Hidrodrini” në Klinë janë duke kërkuar mirëkuptimin e KEK-ut për të kyçur në sistemin e rrymës elektrike stacionin e pompave të ujit për fshatrat Volljakë, Dush e Sferkë.
KEK-u ka shkyçur nga rrjeti elektrik ketë sistem për shkak të një defekti të krijuar në rrymën elektrike dhe nga atëherë nuk kanë shkuar të rregullojnë atë me arsyetimin se KEK-u nuk intervenon në sanimin e problemit aty ku pagesa nuk është në nivelin e dëshiruar, shkruan “Koha Ditore”.
Halil Berisha, menaxher i njësisë së “ Hidrodrinit” në Klinë, tregon se disa herë ka kërkuar nga KEK-u që të rregullojë defektin dhe të lidhë sistemin e rrymës me stacionin e pompave por deri tash nuk ka gjetur mirëkuptim.
Berisha, tregon se mbi 6 mijë banorë kanë mbetur pa ujë të pijshëm ngase sistemi i ujësjellësit në ketë anë punon me rrymë elektrike dhe atë me dy pompime./Indeksonline/