Serbia - përgjegjëse për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës

Serbia ka ngritur në Kosovë strukturat e saj të sigurimit, të ushtrisë, por edhe të shërbimeve informative. Deklarata vjen nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili thekson se “Serbia nuk ka treguar dhe nuk është duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë të mundur përmirësimin e marrëdhënieve që sot ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë”.
Në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, kryeparlamentari Krasniqi fajëson shtetin serb për gjithçka është zhvilluar në të kaluarën në Kosovë. Por gjithashtu, “ajo është përgjegjëse edhe për tendencën e saj për të pushtuar një pjesë të Kosovës”, shprehet Krasniqi.
Sa i përket 100 vjetorit të Pavarësisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet: “Ne si shqiptarë duhet të nxjerrim një mësim nga kjo histori 100-vjeçare, për ta filluar 100-vjetorin e ri më të organizuar me projekte më të shumanshme dhe më të mira se sa na la ky 100-vjetor”.
I pyetur se si po ecën procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe a ka ndonjë zhvillim të ri në marrëdhëniet dypalëshe pas takimit të kryeministrit Thaçi me homologun e tij Daçiç, Krasniqi tha se realisht këto janë bisedime të cilat tashmë kanë filluar, si dhe janë bisedime të cilat kanë kërkesën edhe të komunitetit ndërkombëtar. Parë në këtë këndvështrim, ato ishin dy takime të cilat kanë qenë ndoshta më tepër bisedime të karakterit njohës të dy kryeministrave. Deri më tani nuk ka ndonjë rezultat konkret, pasi janë disa bisedime për disa çështje të caktuara, ku ndoshta çështja më e rëndësishme është se si të realizohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve Kosovë-Serbi./Indeksonline/