E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena: Mos u lani në Shkumbin, i ndotur gjatë gjithë rrjedhës

01/07/2011  Alarmi për infeksione të ndryshme, liqenet më të pastra. Kontrolle periodike dhe në pishina

ELBASAN-Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan u ka bërë thirrje banorëve të Elbasanit të mos lahen në ujërat e lumit Shkumbin gjatë gjithë rrjedhës së tij. Shkak për këtë thirrje janë bërë analizat e ujit të këtij lumi të zhvilluara së fundi nga specialistët.

Ndotja

Ata kanë deklaruar se nga përfundimet rezulton se uji i lumit Shkumbin ka ngarkesë të madhe mikrobike dhe si i tillë këshillohet të mos frekuentohet nga banorët për t’u larë. Ata thonë se matjet janë bërë nga Përrenjasi e deri në pjesën e poshtme duke përjashtuar çdo pjesë të tij për frekuentim plazhi. Sipas të dhënave të specialistëve, shkak për këtë sasi ndotjeje është derdhja e ujërave të zeza duke filluar nga Përrenjasi e deri në Peqin. Drejtori i Shëndetit Publik, Bujar Kllogjeri, thotë se vetë banorët duhet të ndërgjegjësohen të mos frekuentojnë më ujin e lumit për shkak se ka rrezik të madh për infeksione të ndryshme. Ndërkohë këshillohet që nëse nuk shkohet në det, atëherë mund të frekuentohen pishinat private dhe liqenet e Belshit, të cilat nga matja e bërë rezultojnë në parametra të lejuar. Sipas Kllogjerit, në pishina do të bëhen kontrolle të vazhdueshme çdo javë gjatë gjithë sezonit veror që pishinat të mbajnë të njëjtat parametrat e kërkuar. Ndërkohë alarmin për ujin e ndotur të Shkumbinit e ka dhënë më parë edhe Agjencia e Mjedisit, e cila e cilëson lumin mjaft të ndotur dhe kërkon me urgjencë të merren masa për të filtruar ujërat e zeza të qyteteve.

Miraka, shuhet miti i ujit të pastër

Miraka është një pikë e lumit Shkumbin në kufi me Librazhdin që është mjaft e frekuentuar nga banorët e Elbasanit për plazh. Me dhjetëra qytetarë zgjedhin këtë pjesë lumi për t’u freskuar madje dhe uji në këtë zonë duket i pastër. Pushuesit thonë se uji në Mirakë është i pastër, por drejtuesit e Drejtorisë së Higjienës kanë përjashtuar edhe këtë pikë, pasi ndotja që vjen nga qytetet Librazhd e Përrenjas e bëjnë këtë ujë mjaft të ndotur dhe të papërshtatshëm për të bërë banjë. Duke zbritur më poshtë uji vazhdon të ndotet më shumë për të ardhur më pas në pjesën e Elbasanit ku ndotja kalon çdo parashikim, pasi derdhen ujërat e zeza të qytetit dhe fusha e mbeturinave është shumë pranë rrjedhës së lumit. E pra, të gjithë ata që zgjedhin shpesh ujin e lumit dhe veçanërisht Mirakën në pamundësi për t’u larguar nga Elbasani vjen një lajm i keq. Në asnjë pikë Shkumbini nuk është i pastër dhe rekomandohet të mos përdoret për plazh.

Kërkohet ndërhyrja

Ujërat e zeza mbulojnë lagjen,

banorët në panik

SHKODER- Banorët e rrugës “Fahri Ramadani”, të lagjes “Naim Gjylbegu”, të qytetit të Shkodrës kërkojnë ndërhyrjen e ndërmarrjes komunale për kthimin në normalitet të territorit pranë pallateve të tyre. Ujërat e zeza që kanë mbuluar prej disa muajsh rrugën që të shpie të blloku i pallateve të kësaj lagjeje, si dhe sheshin përpara tyre janë bërë shkak jo vetëm për vështirësitë në kalim të qytetarëve, por edhe po rrezikojnë përhapjen e epidemive, sidomos tek fëmijët që tashmë, me mbylljen e shkollave, të vetmin ambient argëtimi kanë territorin përreth pallateve. Ndërkohë era e rëndë e ujërave të zeza ka bërë që banorët e lagjes në fjalë të jetojnë edhe verës me dritare të mbyllura. Sipas banorëve, disa herë është kërkuar pranë kryeplakut të lagjes dhe ndërmarrjes që merret me riparimin, pastrimin e zhbllokimin e pusetave e kanalizimeve të ujërave të zeza, por asnjëherë nuk ka pasur një ndërhyrje të duhur. Ka pasur raste që kanë pastruar pjesërisht, por situata është përkeqësuar shumë shpejt, pasi problemi nuk fillon në sipërfaqe, por në brendësi të kanalizimeve të vjetruara. Amortizimi i këtyre kanalizimeve, si dhe ndërtimet pa leje në atë zonë, duke shkaktuar bllokime e dëmtime të mëtejshme kanalizimesh janë bërë shkak i shpërthimit të ujërave të zeza në sipërfaqe. Kjo situatë ndodh pikërisht dhe vetëm disa metra larg Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe asnjë specialist i higjienës nuk ngre zërin tek institucionet përgjegjëse për të kthyer situatën në normalitet. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›