E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena e dobët, ndërhyrje në 17 çerdhe, 23 kopshte dhe 17 shkolla

04/10/2011  Bashkia e Tiranës detajon planin e punës për punimet

Problem niveli i lartë i lagështirës, termoizolimi i tarracave dhe suvatimet e rëna

Kushtet higjienosanitare në pjesën dërrmuese të çerdheve, kopshteve apo shkollave në kryeqytet lënë shumë për të dëshiruar, pasi prej vitesh nuk është ndërhyrë në rregullimin e tyre, pavarësisht prurjeve të shumta të bëra për çdo vit të ri mësimor. Verifikimet e bëra nga higjiena kanë treguar se muret me lagështirë, suvatë e rëna, rehabilitimi i banjave mbeten ndër problemet më të shpjeta që duhen sistemuar ende pa nisur sezoni i ftohtë i dimrit, që i ndikuar nga këto kushte favorizon shpërthimin e sëmundjeve të shumta infektive. Kundrejt kësaj problematike të konstatuar specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë komunikuar se tashmë është hartuar edhe një plan emergjent për punimet që do të kryhen fillimisht në shkollat më problematike e më pas në gjithë të tjerat. Sipas specialistëve të ndërmarrjes numër tre në bashki, e cila është përgjegjëse për monitorimin e rreth 150 objekteve parashkollore, shkollore apo dhe godinave të përkujdesit social në të gjitha njësitë bashkiake, konfirmohet se grupet e punës kanë zbritur në terren për kryerjen e punimeve në shumë shkolla, kopshte e çerdhe për të shmangur në kohë problemet që mund të sjellë në shëndetin e fëmijëve ardhja e stinës së ftohtë të dimrit. Sipas planit të masave, konfirmohet se ndërhyrja emergjente po realizohet në rreth 17 çerdhe, 23 kopshte dhe 17 shkolla. Ndërkohë nga nisja e vitit të ri mësimor më 1 shtator janë realizuar edhe punime të tjera të shumta në rreth 40 godina shkollore, konkretisht për rikonstruksione, lyerje, heqje lagështire apo rregullime të sistemit të ngrohjes. Aktualisht bëhet me dije se po vijon puna edhe për lyerjen e brendshme dhe të fasadës së rreth 40 çerdheve dhe kopshteve. Ndërsa për godinat shkollore konfirmohet se fillimisht plani i punës do të konsistojë në ndërhyrjet për termoizolimin e tarracave dhe suvatim tavanesh e më pas më rishikimin e buxhetit do të ndërhyhet edhe në përmirësimin e bazës didaktike. Në listën e institucioneve të parashikuara për ndërhyrje në termoizolimin e tarracave janë gjimnazet e kryeqytetit si: “S.Frashëri”, “B. Sykja”, “A. Buda”, “I. Qemali”, “Partizani”, si dhe 16 shkolla 9- vjeçare, ku ndër to përmenden “K. Lushnjës”, “Dh. Leka”, “26 Nëntori”, “B. Curri”, “P. Engjëlli”, “V. Shanto”, “S. Çaçi”, “Shkolla e Kuqe”, “S. Prosi”, “A. Gashi”, “D.Lirisë”, “S. Gabrani”, “S. Kodra”. Në total për këto të fundit është parashikuar të sistemohen 21 750 metra katrorë volum. Sa u takon rregullimeve, për tavanet janë identifikuar për rregullim 69 390 metra katror volum tavane në 9 shkolla të mesme ( “A. Keta”, “S. Prosi”,”A. Z. Çajupi”, “E. Çabej”, “B. Sykja”,”P. N. Luarasi”, “S. Tafai”, “A. Buda”, “I. Qemali”) dhe në 26 shkolla 9-vjeçare.

Situata

Në shumë prej këtyre godinave shkollore janë konstatuar kushte tepër të këqija për pritjen e nxënësve që kanë të bëjnë me nivelin e lartë të lagështirës, e akumuluar prej vitesh, suvatë e rëna e me lagështirë, të cilat gjatë dimrit kthehen në vatra rrezikuese për shëndetin e fëmijëve. Shumë prej shkollave nuk plotësojnë as kushtet minimale higjienosanitare, pasi mungojnë banjat dhe lavamanët për pastrimin e fëmijëve. Po ashtu në masë e amortizuar rezulton të jetë edhe baza didaktike, ku vihen re mungesa të theksuara në tavolinat, karriget apo raftet e gjëra të tjera të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Përmirësimi i këtyre kushteve është planifikuar si masa e parë e ndërhyrjes, ndërkohë që më pas me miratimin e buxhetit të ri për kryeqytetin është përfolur për një shtim të fondeve që do të shkojnë në ndihmë të përmirësimit edhe të bazës didaktike që nxënësit duhet të kenë për zhvillimin e mësimit cilësor në shkolla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›