E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena, të rrezikuara 21 institucione shkollore

28/04/2011  Inspektimet, situata problematike, përfshihen çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit

Krahas lagështirës situata e vështirë edhe në ambientet e kuzhinës dhe në bazën didaktike

Një pjesë e konsiderueshme e kopshteve dhe çerdheve të kryeqytetit vijojnë të kenë problem me kushtet higjieno-sanitare, rëndimi i të cilave mund të vërë në rrezik shëndetin e të vegjëlve që i frekuentojnë ato. Treguesi më problematik me të cilët përballen këto institucione edukuese rezulton të jetë lagështira. Inspektimet e bëra nga ekspertët e higjienës kanë treguar se nuk janë vetëm çerdhet ato që shfaqin probleme me lagështirën e krijuar, por dhe kopshtet e shkollat e arsimit të detyruar dhe atij të mesëm. Ekspertët e higjienës pritet të detajojnë deri në mbyllje të muajit maj raportin e plotë me situatën e plotësimit të kushteve higjenosanitare në të gjitha këto institucione, ku do të lihen edhe detyrat përkatëse, mosrealizimi i të cilave do të shoqërohet me mbylljen e tyre. Lidhur me kontrollet e befasishme të bëra deri më tani inspektorja e Drejtorisë së Shëndetit Publik të kryeqytetit, Besa Shehu, tregon se tashmë po shkon drejt finalizimit vala e inspektimeve për plotësimin e kushteve sanitare për të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar, duke filluar nga çerdhet, kopshtet, shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, qofshin këto të sektorit publik apo privat. Sipas saj, në shumë prej çerdheve dhe shkollave është raportuar si problem lagështira, për të cilën laboratorët po bëjnë edhe matjet e detajuara për të konfirmuar nivelin e rrezikshmërisë. Në masë e amortizuar ka rezultuar të jetë baza didaktike, si tavolinat, karriget apo raftet e gjërat e tjera të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Në kushte të këqija rezultojnë të jenë edhe suvatë e mureve, të cilat janë me lagështirë dhe bëhen problematike veçanërisht gjatë dimrit, duke qenë se kthehen në vatra rrezikuese për burim infeksionesh.

Situata

“Nga 29 çerdhet e kontrolluara deri më tani në 4 prej tyre ka rezultuar si problem shqetësues prania e lagështirës. Po ashtu edhe mungesa e ambienteve krahasuar me numrin e fëmijëve. Krahas këtyre çerdheve kjo problematike është vënë re edhe në 10 kopshte të ndryshme publike. Ndërsa për shkollat mund të themi se deri tani në shtatë prej tyre shfaqet si problem lagështira”, - shprehet Shehu. Ajo shton më tej se krahas këtyre kontrolleve duhet të presim edhe matjet që po kryhen nga ekspertët e laboratorit për të konfirmuar se sa e rëndë është situata në secilin prej këtyre ambienteve si dhe nivelin e rrezikshmërisë që paraqet për fëmijët lagështia e ambienteve. Mosplotësimi i kushteve higjenosanitare janë vënë re edhe në kopshtet që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Pranë këtyre të fundit shqetësimet janë vënë re veçanërisht në ambientet e kuzhinës, ku gatuhet për të vegjlit. Kjo pasi jo vetëm që kanë kapacitete të kufizuara përballë numrit të fëmijëve të regjistruar, por edhe pajisja e tyre bëhet me mjete që nuk mund të përballojnë këtë fluks. Kështu, pavarësisht përkushtimit të personelit, përdorimi i mjeteve të papërshtatshme mund të mbartë probleme shëndetësore, pasi mund të lejojë përqendrimin e baktereve apo mikrobeve të ndryshme.

Referuar këtij shqetësimi, Shehu pohon se në gjashtë prej tyre ka rezultuar pajisjet dhe kushtet në të cilat ishte ndërtuar kuzhina nuk respektonte standardet e kërkuara. Njëkohësisht parregullsi janë vënë re edhe me pajisjen e këtyre ambienteve me bazën e duhur didaktike, ku në shumë raste mungon ose është jashtë kushteve të duhura.

Masat

Sipas Shehut, në mbyllje të muajit të ardhshëm pritet që të detajohet edhe raporti i plotë për kushtet higjienike në secilin prej këtyre institucioneve. Sipas procedurës, për të gjitha ato struktura që kanë manifestuar këto parregullsi do të lihet një afat kohor i caktuar gjatë muajve të verës për të përmirësuar gjendjen. Në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, atëherë në nisje të vitit do të procedohet edhe me dhënien e propozimeve për mbylljen e tyre. Po ashtu edhe pajisja e këtyre institucioneve me mjete didaktike në zhvillimin e mësimit shfaq probleme. Për shumë nga problematikat e konstatuara u është kërkuar strukturave vendore që të ndërhyjnë me përmirësimin e situatës, e cila në shumë raste nuk ka ndodhur. Sipas Shehut, në praktikat e viteve të shkuara, është vënë re që gjatë muajve të verës është ndërhyrë në disa prej shkollave apo kopshteve me probleme, kjo veçanërisht me lyerjen e ambienteve. Por edhe kjo nuk ka rezultuar efikase, pasi në shumë raste është rishfaqur lagështira. Ndaj kontrollet dhe monitorimet këtë vit do të jenë më të rrepta.

Në shumë prej çerdheve dhe shkollave është raportuar si problem lagështira, për të cilën laboratorët po bëjnë edhe matjet e detajuara për të konfirmuar nivelin e rrezikshmërisë.

Krahas murit që ka zënë myk, apo suvave të rëna, problem shqetësues mbetet edhe situata që paraqitet në tualete. Në masë e amortizuar ka rezultuar të jetë baza didaktike, si tavolinat, karriget apo raftet e gjërat e tjera të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. “Nga 29 çerdhet e kontrolluara deri më tani në 4 prej tyre ka rezultuar si problem shqetësues prania e lagështirës. Po ashtu edhe mungesa e ambienteve krahasuar me numrin e fëmijëve. Krahas këtyre çerdheve kjo problematike është vënë re edhe në 10 kopshte të ndryshme publike. Ndërsa për shkollat mund të themi se deri tani në 7 prej tyre prej tyre shfaqet si problem lagështira.”

Kostoja e studimeve për ciklin e tretë për të gjitha programet do të jetë 204600 lekë

Doktoratura, derdhja e pagesës së studimeve me dy dhe tri këste

Derdhja e pagesës për ndjekjen e studimeve të ciklit të tretë, doktoraturës, do të realizohet në disa këste. Aktualisht drejtuesit e fakulteteve publike po detajojnë procedurën që do të ndiqet nga aplikantët për të shlyer detyrimet financiare të studimit. Sipas përcaktimeve të bëra, tarifa e shkollimit për çdo program të studimeve të doktoratës në strukturat publike do të jetë 204 600 lekë, shumë e cila do të paguhet në këste. Tarifa e shkollimit për çdo program të studimeve të doktoratës në institucionet publike të arsimit të lartë civil si dhe për doktorantët nga jashtë dhe të Forcave të Armatosura në programet e studimeve të doktoratës në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” do të paguajnë rreth 2 milionë e gjysmë lekë për ndjekjen e studimeve për të gjitha vitet e frekuentimit. Kjo pagesë do të ndahet në këste, që do të derdhen sipas përcaktimeve individuale të bëra prej secilit institucion. Për programet e studimit të doktoratës në Universitetin e Tiranës për vitin akademik 2010–2011”, - theksohet se tarifa e shkollimit për këtë cikël studimesh do të jetë rreth 204600 lekë, e cila do të paguhet nga studentët e shkollës doktorale në disa këste, referuar edhe kohëzgjatjes së programit. Në këto kushte, për kandidatët që programi i doktoraturës ka kohëzgjatje trevjeçare, derdhja e kostos së studimit do të realizohet në tri këste, ku aplikuesi do të paguajë 68 200 lekë, që i korrespondon çdo viti që është kohëzgjatja e programit. Ndërsa për studentët e doktoraturës që e kanë programin 2-vjeçar, e njëjta pagesë do të ndahet në dy këste: kësti i parë 102 300 lekë, po kaq do të jetë edhe i dyti, që po ashtu i korrespondon çdo viti që është kohëzgjatja e programit. Janë vetë fakultetet që detajojnë individualisht kohën se kur do të shlyhet ky detyrim. Pothuajse për të gjitha këto programe studimi kriteri selketues i fituesve rezulton të jetë nota mesatare, kjo pasi fluksi i kërkesave të paraqitura ka rezultuar më i lartë se kuotat e miratuara nga qeveria.

Transporti publik

Shtohen 22 autobusë të rinj në dy linja të kryeqytetit

Përmirësimi i kushteve për transportin publik të kryeqytetit është shoqëruar gjatë ditës së djeshme me shtimin e mjeteve të reja të lëvizjes, të cilat do të ofrojnë më shumë komoditet për qytetarët. Këtij transformimi i janë nënshtruar dy linjat e frekuentuara të qarkullimit: ajo e Tiranës së re dhe linja Qendër–Sauk. Konkretisht në linjën e Tiranës së Re është operuar me futjen në shërbim të mjeteve të reja, me kilometrazh 0, që do të bëjnë kështu zëvendësimin e pjesës së mbetur të mjeteve ekzistuese në këtë linjë. Tirana e Re ishte ndër të parat linja që futi në shërbim disa muaj më parë 10 mjete të reja të lëvizjes, të cilave gjatë ditës së djeshme i janë shtuar edhe 10 mjete të reja të së njëjtës cilësi evropiane. Po gjatë ditës së djeshme në linjën e Saukut janë vënë në shërbim 12 mjete të reja. Ndërkohë që këtë shans do ta kenë edhe të gjitha linjat e tjera të shërbimit urban publik, jo vetëm ato në qendër, por edhe në zonat më fundore të kryeqytetit. Gjatë inaugurimit të këtyre linjave kryebashkiaku Edi Rama ka pohuar se “do të jenë qytetarët ata që me votën e tyre do të mund të çlirojnë këshillin bashkiak të kryeqytetit, për t’i hapur udhë transformimit rrënjësor edhe të linjës Kombinat–Kinostudio si dhe vënies në funksionim të dy linjave të reja: linja e “Mihal Gramenos”, që do të përshkojë të gjithë trajektoren te Qyteti Studenti, si dhe linja Allias–Liqen, që është pjesë e projektit të Parkut të Integruar të Liqenit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›