Hija e nxehtë e vitit elektoral
Duket se shumë shpejt do të rrudhet a shprishet lista e gjatë e partive politike; së paku në hapësirat e djathta, shenjat janë të qarta. Drejtuesit kryesorë të PDR kanë komentuar pa droje fabulën e kthimit të djalit plangprishës. Republikanët sa vjen e shtrëngojnë radhët, gjithnjë më pranë PD-së. Loja e (mos)kthimit e kompensimit të pronave, i vë në një gjendje aspak dinjitoze, por fati i Gërdecit i afron me kryesuesen e koalicionit të djathtë. PDK duket “e adhnuar”, por parathotë besnikëri ndaj këtij koalicioni. Lëvizjet e tanishme, me sa duket, diktohen fort nga afrimi i vitit 2009, një vit elektoral. Pavarësisht nga ngjyrat dhe kahja e këtyre zhvillimeve, mund të konstatohet me lehtësi se historia e bërjes dhe zhbërjes së partive politike, madje edhe institucioneve, është një fenomen i hershëm në Shqipëri. Pa dashur ta lodhim lexuesin e nderuar, mund të kujtojmë që partitë politike shqiptare të emigracionit, (të përzëna nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore,) në klubet e qyteteve kryesore të Evropës, krijonin dhe ndanin pareshtur fraksione dhe organizata. Por natyrshëm, më e shumta e historisë me dublime partish, organizatash dhe institucionesh, është “shkruar” në vitet e pafundme të tranzicionit.
Bërja dhe zhbërja e partive shqiptare, është një dinamikë që nuk ndalet; diku karakterizohet si dramë, diku si fanfarë, nganjëherë është diçka kaq e lexueshme dhe bajate, sa që nuk e vlen komenti. Ndodh që ndryshimet në fjalë (deformimet duhej thënë më mirë) janë të imponuara nga rrethanat politike. Kështu po ndodh edhe këtë herë në hapësirat e djathta, ndërkohë që nuk demonstrohen lëvizje të ngjashme tek të majtët. Kjo shpjegohet edhe me interesin dhe përkushtimin e individëve të pushtetshëm.
Në shumë raste, deformimet janë kompozuar pikërisht nga liderë të partive politike (t’i quajmë) të mëdha. Në shtypin shqiptar, është folur hapur për lojën e kryetarit të përjetshëm të PD-së me disa parti të djathta, apo edhe me organizata të tjera. Këtu ka ndodhur një fenomen që mund të mos e hasësh gjëkund. U panë dy parti të Ballit Kombëtar, po kaq të Legalitetit. (Jemi shprehur edhe njëherë tjetër në lidhje me klimën - për fat të keq, gjithnjë mbytëse - për këto formacione historike, sot për sot në krizë.) Kështu ndodhi edhe me sindikatat; kështu ndodhi edhe me shoqatat e ish-të përndjekurve. Në disa prej këtyre partive dhe organizatave, u përdor dhe përdoret cilësori “demokratike”, a thua të tjerat duheshin quajtur “komuniste”(!) Një e tillë lëvizje është tentuar gjer edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve; (dikur). Shpesh këto lojëra kanë gjetur mbështetjen dhe vullnetin e individëve apo grupeve që kanë shprazur inate; por rëndom fraksionet dhe rrymat janë krijuar prej njerëzish të vendosur për t’u realizuar si politikanë apo thjesht të interesuar për përfitime të çastit.
Që në vitin ‘92, kur pluralizmi shqiptar ende ishte në shpërgënj, u shkëput nga PD një grup i madh, mjaft pretencioz, me emra të spikatur të lëvizjes demokratike shqiptare: Neritan Ceka, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, etj. Me sa na kujtohet, në këtë parti ka kontribuar për njëfarë kohe edhe Spartak Ngjela. Aleanca Demokratike përpara disa vitesh përjetoi edhe një dublim tjetër, por pa sukses. Nga PD doli më vonë edhe PDD, pastaj më vonë PDR.
Në vitin ‘94, gjatë fushatës referendare për Kushtetutën, nga PSD e Gjinushit u shkëput Bashkimi Socialdemokrat, sot Bashkimi Liberal dhe më pas edhe PDS. Ndër lëvizjet më të spikatura në hapësirat e majta, ka qenë ajo e mbështetësve të ish-kryeministrit socialist Meta, sot LSI. Qëndrimet e saj agresive, gati armiqësore, ndaj partisë më të madhe opozitare në vend, PS-së, janë nga gjërat më të habitshme që ka parë ndonjëherë publiku shqiptar. “Drama” që po përjeton sot e majta, na rrëfen se sa i vështirë është evropianizimi dhe modernizimi i politikës shqiptare.
Në ditët e fundit, fenomeni i bërjes dhe zhbërjes së partive, po pasurohet me ribashkimin e tyre. Kjo po ndodh në një kohë që edhe “hija” e vitit elektoral duket mjaft e nxehtë. Dhe po afrohet me shpejtësi. Kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme të Kodit Zgjedhor; për të vegjlit, këto ndryshime parashikojnë një ndeshje të ashpër, mbase fatale, me shifrat që ende askush s’mund t’i marrë me mend. Në hapësirat e djathta, kjo po shqyrtohet me ngut. Edhe pse të fyer, demokristianët kanë pohuar vazhdimisht qëndrimin në “koalicion”. PDR, e drejtuar nga Genc Pollo, (thuhet se) do të ribashkohet me PD-në, nga edhe ishte shkëputur. LZHK duket se ka pritur e duruar mjaft në vetmi.
Një lloj interesi për t’u afruar me PD-në e ka shprehur edhe drejtuesi i Aleancës Demokratike. Madje në një nga seancat e fundit parlamentare, ai ka komentuar në një mënyrë krejt të habitshme vizitat “e shkëlqyera” të Kryetares së Kuvendit. Një qëndrim që s’e gjen as te “aleanca” e udhëhequr prej LSI-së, as tek e majta, ku ka bërë pjesë deri më sot partia e drejtuar nga Ceka dhe Demeti. Duke marrë në sy këto sinjale bashkimi, por edhe qëndrimin pragmatist të PBDNJ-së, të duket se në hapësirat e djathta ka më shumë ajër. Është ende herët të nxjerrësh ndonjë përfundim nga lëvizjet e sotme dhe nga ato që pritet të ndodhin nesër.
Por një gjë është e sigurt, që në hapësirat e majta, meditohet pak rreth kësaj teme. Aktorët kryesorë aty gjenden në polemika me njëri-tjetrin, larg klimës së bashkëpunimit dhe bashkimit. Togfjalëshi idiot “Partia ime...!” është ende mjaft i dashur për një pjesë të opozitës. Kjo krenari false, mund t’i kushtojë jo vetëm asaj, por edhe qytetarëve; dhe ata, ashtu siç ndiheshin të lodhur përpara ca kohësh nga qeveritë Nano, ndihen të lodhur edhe sot nga qeveritë Berisha. Gjithsesi, lideri (rastësisht) i së djathtës, ashtu si ajo është, ka mjaft arsye të kërkojë dhe të besojë në mandatin e dytë. Një prej këtyre arsyeve, është pikërisht meditimi djathtas i të majtëve.