E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Thaçi prezanton strategjinë për veriun e Kosovës

Strategjia adreson, fuqizimin e ligjit, decentralizimin, formimin e Mitrovicës së Veriut dhe përmirësimin ekonomik Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë, ditën e djeshme prezantoi strategjinë e perspektivës demokratike integruese për veriun e Mitrovicës e cila, sipas tij, është në pajtim me dokumentin e Martti Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës. Strategjia, e hartuar së bashku me ndërkombëtarët, adreson katër fusha kryesore: fuqizimin e sundimit të ligjit, decentralizimin, formimin e komunës së Mitrovicës së veriut dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në atë pjesë.

Ka ekzistuar nevoja për një strategji të re aktive, një strategji kjo e cila është në pajtim me dokumentin e Ahtisaarit, Kushtetutën e Kosovës dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, e cila do të reflektojë perspektivë demokratike integruese për veriun e Mitrovicës, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i shtetit tonë dhe respektimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe zgjerimi i funksionalizimit të ligjshmërisë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i situatës ekonomike gjithashtu, ka thënë kryeministri Thaçi. Strategjia, sipas tij, përfshin rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore; së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin me themelimin e komunës së veriut, adresimi i qeverisjes vendore në tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike. Kryeministri Thaçi më tutje ka theksuar se në përputhshmëri me kushtet, rrethanat dhe realitet që do të krijohen, qeveria e Kosovës do të mund të krijojë fond të veçantë për çështjen e përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike në veri të Mitrovicës. Vitin e kaluar kemi investuar rreth 8 milionë euro në atë pjesë, ndërsa sivjet mund të shtohet edhe me fond i veçantë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilën do të kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare, ka vijuar ai. Kryeministri Thaçi ka kërkuar përfshirjen e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të kemi sukses të plotë dhe njëherësh ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës gjithë komunitetin ndërkombëtar për angazhimin dhe mbështetjen në këtë proces. Në këtë mbledhje, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Me këtë rast, ai ka falënderuar qeverinë e këtij vendi fqinj dhe kryeministrin Milo Gjukanovic dhe është shprehur për marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Malin e Zi dhe me të gjitha vendet e rajonit. Qeveria kosovare ka përgatitur edhe strategjinë legjislative për vitin 2010. Përgatitja e këtij dokumenti është bërë pas një procesi gjithëpërfshirës dhe pas konsultimit të raporteve dhe dokumenteve të ndryshme, siç është plani i veprimit për partneritet evropian, raporti të progresit për vitin 2009 etj. Projekt-strategjia legjislative për vitin 2010 përmban 123 projektligje. Po ashtu në mbledhjen e djeshme, qeveria e Kosovës ndau 50 mijë euro ndihmë për qeverinë e Haitit, si pjesë e donacioneve ndërkombëtare, pas tërmetit shkatërrues. Kryeministri Hashim Thaçi tha se do të shikohen edhe mundësi të tjera për ndihma, përfshirë edhe mundësinë e dërgimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si mbështetje për tejkalimin e gjendjes. Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar lart këtë raport duke thënë se Kosova ka hyrë në fazën e prezantimeve të progresit të saj. Kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur se së shpejti ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni do të udhëtojë për në Nju Jork ku do të prezantojë të arriturat e Republikës së Kosovës në tre muajt e fundit.

Last Updated on E Shtune, 16 Janar 2010 21:56

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›