Hila: Elbasani smendon për rezultatin, por për lojën
Mesfushori verdheblu, Ardit Hila, pretendon të jetë protagonist me skuadrën e tij sezonin e ardhshëm dhe pjesë e kombëtares U-21
Elbasani ka disa javë që si objektiv parësor nuk ka rezultatin, por aktivizmin e lojtëve të rinj, të cilët duhet të fitojnë përvojë në ndeshjet e kategorisë së parë për të qenë të gatshëm për sezonin e ri. Në Himarë, ku verdheblutë humbën 3-2, stafi teknik hodhi në fushë një formacion të rinjsh, të cilët lanë mbresa me lojën e tyre. Titullar ishte edhe një nga të rinjtë më premtues të verdhebluve, mesfushori Ardit Hila, që cilësohet si një nga zbulimet e këtij sezoni.
Ai është aktivizuar rregullisht nga trajneri File dhe ka treguar vlera. Edhe në ndeshjen me Himarën mesfushori i ri nuk zhgënjeu, duke shënuar një dygolësh. Nga specialistët e futbollit në qytet ai vlerësohet si një nga emrat e të ardhmes së futbollit elbasanas. Vetë mesfushori shprehet i lumtur për dygolëshin e shënuar në Himarë: Elbasani po e respekton kampionatin, edhe pse rezultati për ne nuk ka shumë rëndësi.
E rëndësishme është që skuadra jonë nuk po bën lëshimë në lojën e saj. Po luajmë me lojtarë të rinj, të cilët kanë dëshirë për të treguar vlera dhe për tu afirmuar, ndaj dhe e kemi të vështirë të marrim rezultat pozitiv, sidomos në transfertë. Jam mjaft i kënaqur në aspektin personal, sepse shënova dy gola në Himarë, pavarësisht humbjes.
Ne synojmë të zhvillojmë ndeshje të mira dhe këtë do të bëjmë edhe javën e fundit, kur do të presim Ilirinë në fushën tonë. Lojtarët e rinj që po aktivizohen po paraqiten mirë dhe besoj se do ti shërbejnë Elbasanit në të ardhmen, shprehet mesfushori verdheblu.
Ambicjet Hila pohon se ëndërron të bëhet pjesë e kombëtares U-21. Kam punuar shumë për të qenë titullar tek Elbasani dhe kuptohet që kam ende shumë për të bërë. Ëndrra ime është që të luaj për Elbasanin në superligë dhe të jem pjesë e kombëtares U-21. Kam zhvilluar një sezon pozitiv dhe mendoj se e meritoj një ftesë nga trajneri Skënder Gega. Do të vazhdoj të stërvitem me përkushtim për të qenë protagonist me Elbasanin sezonin e ardhshëm, tha në fund elbasanasi Ardit Hila.