Selimaj: Luftëtari, gëzim të ligjshëm për suksesin
Portieri shkodran, Erind Selimaj, thekson se ekipi i tij ka qenë në mënyrë të padiskutueshme superior ndaj çdo kundërshtari
Devolli fitoi një 11-metërsh në ndeshjen e parë të këtij kampionti me Vlorën, ndoshta mjaft të diskutueshëm, por fitorja minimale u arrit (makinat e rënda e duan një shtyrje fillestare!), ndërsa Lluka shënoi një gol spektakolar në transfertën me Kukësin, që u mbyl 1-1. Janë këto alfa dhe omega për shpalljen e Luftëtarit kampion kombëtar për kategorinë e parë sezonin 2011-2012, që është e 8-ta herë për të (këta tituj nuk janë për admirim, sepse në thelb tregojnë se ekipi ka rënje nga superliga ).
Sidoqoftë, rikthimi në superiore është sukses dhe për këtë, pjesa e Luftëtarit që mbërriti në Gjirokastër, në orën 02:00 (e hënë), u prit nga mjaft tifozë me shumë entuziazëm. Por, festimet më ekspresive do të bëhen pas ndeshjes Luftëtari-Mamurrasi, që mbyll kampionatin e 65-të të kategorisë inferiore.
Ndeshja Kukësi-Luftëtari u transmetua nga një stacion televiziv dhe kështu, përveç të pranishmëve në të, edhe shumë të tjerë, veçanërisht në Gjirokastër, panë se kush luan futboll europian dhe kush amerikan. Gjirokastritët manifestuan shumë gjëra në atë ndeshje, që i çuan te suksesi, siç janë mençuria dhe guximi, teknika dhe taktika, përgatitja fizike dhe psiqike, durimi dhe gjakftohtësia e të tjera.
Ata luftuan brenda fushës për të arritur rezultatin e duhur, por edhe jashtë saj për të përballuar dhunën, që shtruan disa lojtarë dhe tifozë vendës, që hidhnin sende, madje edhe gurë. Të gjitha këto, në radhë të parë erdhën nga fakti që kuksianët i besuan të parit të ekipit të tyre, që tha se Luftëtari do të mundej 100 herë në Kukës (kjo u kthye në bumerang), por, kur panë që po ndodhte ndryshe, filloi irritimi dhe më pas aktet e dhunës. Megjithatë, Luftëtari e çau rrethimin dhe mbërriti shëndosh e mirë në Gjirokastër, ku të gjithë lojtarët u bashkuan të martën.
Selimaj Ashtu sikundër dihet, çdo ekip ka boshtin e tij. Luftëtari, si të tillë ka Selimajn, Sinanin, Devollin dhe Norën. Erind Selimaj, portieri shkodran, që nuk luajti vetëm në ndeshjen me Gramozin, shprehet:
Jam i gëzuar, që më së fundi qyteti i gurtë po rigjallërohet në futboll, ku ka tradita. Ishte një kampoinat, ku ekipi ynë në mënyrë të padiskutueshme kryesoi dhe nuk është inferior me asnjë nga pjesëmarrësit. Në Kukës vërtet pati episode jo të këndëshme, por që tashmë i takojnë të shkuarës dhe ne ua falim, sepse ajo që është kryesorja për Luftëtarin u arrit me meritë të plotë, falë organizimit, shpirtit të garës dhe tipareve të tjera, që i kemi manifestuar vazhdimisht.
Nën kujdesin e presidentit Flamur Bime, ekipi thithi disa lojtarë cilësorë, të cilët dhanë më të mirën. Do të festojmë pas ndeshjes me Mamurrasin, sepse është diçka e ligjshme dhe e merituar. Rëndësi, për mendimin tim, ka që të skicohet ekipi që do të luajë në superligë, në mënyrë që Luftëtari të qëndrojë aty për shumë e shumë sezone dhe ti pasurojë tradiat e tij. Unë, kudo që të jem, nuk do ta harroj këtë kampinat, që e mbyllëm aq bukur.
Ngushellim
Dje u përcoll në banesën e fundit babai i drejtorit ekzekutiv të Luftëtarit, Qazim Muhos. Edhe redaksia e Sportit shqiptar i shpreh atij ngushullimet më të sinqerta për humbjen e njeriut më të dashur.
