Beqiraj, mbret i golit

Fatos Beqiraj po kalon nëpër momentet më të mira të karrierës. Pasi shënoi gol në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit dhe e siguroi titullin e kampionit të Kroacisë me Dinamon e Zagrebit, sulmuesi kosovar është shumë afër të bëhet edhe golashënuesi më i mirë në kampionatin kroat.
Futbollisti pejan ka shënuar 15 gola vetëm një xhiro pa përfunduar sezoni. Në rast se e fiton këtë epitet, ai do ta shkruante historinë, duke u bërë lojtari i parë i huaj që bëhet golashënuesi më i mirë në Kroaci pas 20 vjetësh.
Ish futbollisti i Shqiponjës, i Besës dhe i Buduçnostit ndihet krenar për këtë arritje. “Jam i kënaqur natyrisht, pasi që jam golashënuesi më i mirë i kampionatit. Kjo ka domethënie të madhe për mua. Kjo arritje më ka motivuar që të punoj më shumë dhe të përparoj. Mirëpo, sigurisht se nuk mund të arrija deri këtu pa ndihëm e shokëve të skuadrës”, theksoi ai për të përditshmen malazeze Vijesti.
Pas titullit, Beqiraj beson se me Dinamon do ta fitojë edhe Kupën e Kroacisë. Në ndeshjen e dytë finale (e para përfundoi 0:0), ekipi i tij sonte do të përballet me Osijekun.
Beqiraj, i cili konsiderohet si mbret në Maksimir, këtë sezon e shënoi dyfishin e golave karshi atij të kaluar. Në sezonin 2008/2009 ai kishte shënuar 18 gola me Buduçnostin në kampionatin malazez.
“Sezonin e kaluar kam realizuar 8 gola në kampionat dhe në kupë, por këtu kam ardhur vonë dhe më nevojitej kohë për t’u ambientuar. Nuk ishte e lehtë të shënoja aq shumë gola në Mal të Zi dhe tash jam i kënaqur që e bëra të njëjtën gjë edhe këtu. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm sezonin e ardhshëm”, vazhdoi Beqiraj i cili nuk deshi të flasë për të ardhmen.