Hillary Clinton: Bota ka një armik të përbashkët, terrorizmin
Hillary Clinton ka reaguar ditën e hënë në lidhje me sulmet kamikaze që goditën mëngjezin e 29 marsit metrotë kryesor të Moskës. Në fjalën e saj sekretarja amerikane e shtetit është shprehur se bota tashmë ka një armik të përbashkët.
"Ne tashmë po përballemi të gjithë me një armik të përbashkët. Edhe kur je në një metro në Moskë, në një tren në Londër apo Spanjë apo në një ndërtesë në SHBA, kudo të shkosh tashmë në mbarë globin është një armik i përbashkët."- u shpreh Hillari Klinton.
38 persona mbetën të vdekur pas atij atentati të dyfishtë me bomba që goditën dy stacionet kryesore të metrove në kryeqytetin e Rusisë, në Moskë.
"Tashmë terroristët po përpiqen që të rekrutojnë edhe europianë, edhe amerikanë, edhe kanadezë, edhe njerëz të shumë kombësive të tjera për të arritur qëllimet e tyre të zeza."- u shpreh ish-zonja e parë e SHBA-së.
Përveç 38 të vrarëve, bilanci i të plagosurve kapte shifrën e 72 personave, shumë prej tyre në gjëndje tepër të rëndë. Asnjë organizatë apo grup kriminal nuk ka marrë përgjegjësinë e kësaj ngjarje të rëndë që tronditi kryeqytetin rus. Por shërbimi informativ rus pretendon se shkaktarët e tragjedisë kanë lidhje me rajonin e Kaukazit të Veriut.