E Diel, 1 Nëntor 2026

Hillary Clinton vizitoi Kilin

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka qëndruar për vizitë në Kil, ku ka dërguar pajisje të nevojshme për komunikim dhe teknikë. Ky ishte instalimi i parë i asaj që ajo e quajti ndihmë substanciale amerikane.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se Kili gjithashtu ka bërë kërkesë për spital fushor dhe sisteme për pastrimin e ujit. Detajet e tjera të ndihmës amerikane u bënë publike gjatë vizitës së Sekretares Clinton. Qindra mijëra kilianë janë ende pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, tre ditë pas tërmetit të fortë që goditi vendin ditën e shtunë dhe ku humbën jetën 796 persona.

Në qytetin e dytë më të goditur të vendit, Konsepsion, të mbijetuarit e tërmetit 8.8 shkallë të Rihterit, kanë plaçkitur dyqanet në kërkim të ushqimit dhe ushtria është udhëzuar të vendosë kontrollin.

Një tjetër ditë e dëshpëruar për mijëra njerëz në qytetet pranë epiqendrës së tërmetit.

Në Konsepsion, njerëzit luftuan me njëri-tjetrin për ushqim dhe u vunë zjarrin dyqaneve, duke ngritur një re të zezë tymi mbi qytetin e shkatërruar.

Për të dytën natë radhazi, ushtria ka qenë në rrugët e qytetit dhe ndalim-qarkullimi është ende në fuqi. Ndihma e shumëpritur më në fund ka mbërritur.

Mes qyteteve Konsepsion dhe Santiago është vendosur një urë lidhëse ajrore, përmes së cilës janë dërguar në zonat e prekura 300 ton ndihma, ndër ato edhe 120 ton ushqime.

Ndihma ndërkombëtare ka mbërritur gjithashtu. Argjentina fqinje po dërgon një spital fushor dhe ka premtuar gjysmë milion litra ujë të pijshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›