Transparency International: Bum korrupsioni në Greqi
Korrupsioni konsiderohet gjerësisht si një nga shkaktarët e krizës së re në të cilën është zhytur sot Greqia, krizë që kërcënon edhe monedhën e përbashkët europiane. Sipas një studimi të fundit të “Transparency International”, korrupsioni është pjesë e jetës së përditshme në Greqi dhe gjatë vitit 2009 thuhet se kompanitë private greke kanë paguar në formë ryshfeti plot 780 milionë euro. Grekët kanë paguar 2355 euro për frymë vjet për shërbimet publike, si përshpejtimin e marrjes së patentës së makinës, lejet e ndërtimit, pranimin në spitale, apo manipulimin e të ardhurave për pagesën e taksave, kjo sipas TI, që është një organizatë me bazë në Berlin. Një vit më parë, ryshfetet kanë qenë edhe më të larta. Ryshfete janë paguar shumë edhe në sektorin privat për shërbime të tilla si avokatia, bankat, mjekët. Ky vlerësim është bërë bazuar në një sondazh të kryer te 6122 grekë të rritur. 13.5% e tyre deklaruan se atyre u kishin kërkuar që të paguanin ryshfete. Këto shifra shfaqin vetëm një pjesë të vogël të korrupsionit në Greqi, sepse shumë njerëz nuk e pranojnë që u kanë kërkuar, apo kanë paguar ryshfete për përfitimin e shërbimeve, apo shkeljeve të ndryshme.
#