E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç mohon Srebrenicën: Janë histori të ngritura mbi mite false

Gjyqi Ish-lideri serbo-boshnjak thotë se është i gatshëm të provojë pafajësinë

Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, që i është nënshtruar një procesi gjyqësor nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, i ka cilësuar si “mite” dy nga kasaphanat më të mëdha dhe më mizore të luftës së Bosnjës në 1992-1995 dhe ndërkohë ka mohuar përfshirjen e tij në to. Në gjyqin e tij, Karaxhiç tha se Sarajeva, në të cilën vdiqën 12 mijë persona për 44 muaj, nuk ka qenë kurrë “një qytet i rrethuar” nga forcat serbo-boshnjake. Ai tha se pretendimet për masakrën e Srebrenicës së vitit 1995, ku u vranë mizorisht 8000 burra e djem, bazoheshin në mite të rreme. Ndërkaq, Karaxhiç është i akuzuar për krime lufte në Bosnjë gjatë kohës që ishte në krye të serbëve të këtij vendi. Mbi të aktualisht rëndojnë 11 akuza. Karaxhiç vazhdon ndërkohë që të kërkojë më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij dhe së fundmi i ka bërë një kërkesë gjykatës që ta shtyjë procesin deri në muajin qershor, që sipas tij është koha kur do të ketë mundur që të bëhet gati. Një javë më parë një kërkesë e tillë i është refuzuar dhe ndërkaq kanë nisur seancat e dëgjimit të dëshmitarëve. Në seancën e së hënës ai e konsideroi luftën e Bosnjës si “të drejtë dhe të shenjtë”, duke fajësuar myslimanët e Bosnjës për nisjen e saj. Ndërkaq, një ditë më pas ai tha se Sarajeva nuk ishte një qytet i rrethuar, por i ndarë. Sipas tij, ishin myslimanët dhe kroatët ata që e kthyen qytetin në një thertore. “Mund të provoj se armiqtë e serbëve të Bosnjës qëlluan mbi njerëzit e tyre dhe i vranë njerëzit e tyre për të hedhur fajin mbi ne”, ka deklaruar Karaxhiç. Sipas tij, myslimanët dhe kroatët përdorën dhunën dhe terrorin ndaj njerëzve të tyre në Sarajevë, në tentativë për të sjellë aty trupat e NATO-s dhe për të bërë për vete perëndimorët. Edhe për Srebrenicën, Karaxhiç ka thënë se ajo është një histori e ngritur “mbi mite të rreme dhe viktima të rreme”. Ndër të tjera ai ka shtuar se për të do të jetë shumë e lehtë që të provojë faktin se ai nuk ka pasur të bënte me një tragjedi të tillë. Ndërkohë, të afërmit e viktimave të Srebrenicës kanë reaguar me indinjatë ndaj deklaratave të tilla.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›