E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hima: Kthejmë Cërrikun në kantier pune

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Eligert Hima, kandidat për kryetar të bashkisë Cërrik, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Nisma “Shqipëria Bëhet”, për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, përmes një videomesazhi u ka bërë thirrje fermerëve të zonës të votojnë për ndryshim.

Ai u ndal te problematika e kanaleve vaditëse dhe kulluese, të cilat sipas tij, prej vitesh janë jashtë funksionit, ndërsa akuzoi pushtetin lokal për keqpërdorim të fondeve që mblidhen përmes taksave.

Hima u shpreh se “në datën 9 nëntor fermerët kanë një mundësi të vadisin me votë fushat e tyre, duke mos mbështetur ata që u vjedhin lekët e taksave”, duke theksuar se nëse merr drejtimin e bashkisë do të punojë me përgjegjësi për vënien në funksion të kanaleve vaditëse dhe për ta kthyer Cërrikun në një kantier pune.

“Lekët që ju mbahen sa herë që blini apo shisni mallra, një pjesë duhet t’i dedikoheshin kanaleve vaditëse apo kulluese”, deklaroi Hima.

Kandidati demokrat u zotua se, nëse do të fitojë drejtimin e bashkisë, do të punojë “me përgjegjësi dhe dashuri për të vënë në funksion kanalet vaditëse dhe për ta kthyer Cërrikun në një kantier pune”.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›